Kastoria, 9 qershor Zhurnal.mk – Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin lokal të Kastorias, pas një aksidenti fatal rrugor që ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme rreth orës 03:20, në një rrugë rurale pranë pyllit të Mesopotamias.
Sipas mediave greke, në automjetin bujqësor udhëtonin pesë të rinj, katër prej tyre të mitur dhe një i rritur, të cilët kishin dalë për një shëtitje të shkurtër në zonë. Automjeti drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili nuk posedonte leje drejtimi dhe pas pak ditësh do të festonte ditëlindjen e tij të 18-të.
Për arsye që ende po hetohen, drejtuesi i ri humbi kontrollin e mjetit teksa lëvizte në rrugën rurale pranë pyllit të Mesopotamias. Automjeti doli nga rruga dhe u përmbys, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të një pasagjeri 16-vjeçar shqiptar.
Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë dhe një ambulancë e shërbimit të emergjencës. I riu shqiptar u nxor pa shenja jete nga automjeti i shkatërruar dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kastorias.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetojë dhe u konstatua i vdekur.
Katër personat e tjerë që ndodheshin në automjet kanë pësuar lëndime të lehta, por ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike pas ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet paraprake për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme.
