Editorial / Maqedonia e Veriut po stagnon – Ka rritje të inflacionit, borxheve dhe mungesë reformash!

Nga R.ZH
1,215 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Shkalla vjetore e inflacionit në Maqedoninë e Veriut u rrit me 4.8% në muajin maj 2026, duke rënë nga niveli më i lartë dyvjeçar prej 5.7% në muajin e kaluar. Kjo nënkupton rritje më të lartë të çmimeve të gjitha produkteve. Me fjalë të thejshta, inflacioni ia humb vlerën parasë, dhe me të njëjtën pagë tani mund të blihen më pakë produkte. Qeveria kishte marrë përsipër që të zbresë inflacionin në 2.5%, pork jo shifër për momentin është ende dyfish më e madhe, shkruan “Zhurnal.mk”.

Inflacioni që po i zbraz xhepat e qytetarëve

Në muajin prill inflacioni në Maqedoninë e Veriut ishte 5.7 për qind, ndërsa në muajin maj ka rënë në 4.8 %. Rritja e çmimeve u ngadalësua për ushqimet dhe pijet joalkoolike (4.7% kundrejt 8% në prill), pijet alkoolike dhe duhanin (9.3% kundrejt 10.2%), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (4.9% kundrejt 5%), dhe mallrat dhe shërbimet e ndryshme (2.1% kundrejt 4.3%).

Por, në të njëjtën kohë, kostot mbetën të pandryshuara për strehimin dhe shërbimet (në 2.9%), shëndetësinë (në 1.8%), arsimin (në 4.6%), dhe sigurimet dhe shërbimet financiare (në 1.7%).

Në të kundërt, çmimet u rritën për veshjet dhe këpucët (2.2% kundrejt 1.6%), transportin (11% kundrejt 5.4%), informacionin dhe komunikimin (2.8% kundrejt 2%), rekreacionin dhe kulturën (5.5% kundrejt 5.4%), dhe restorantet dhe hotelet (5% kundrejt 4.3%).

Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.6% në maj, pas një rritjeje prej 1.3% në periudhën paraprake, shkruan “Zhurnal.mk”.

Qeveria s’arrin dot të ngadalësojë shtrenjtimet e produkteve

Me të dhënat e fundit statistikore, pas dy vitesh qeverisje, po vërtetohet se deri në 90% të premtimeve nuk janë përmbushur.
Edhe pse u premtua standard më i lartë jetese, megjithatë sot portofolet dhe frigoriferët e qytetarëve janë më të zbrazët. U premtua inflacion më i ulët prej 2.5%, por fatkeqësisht çmimet e ushqimeve po rriten ndërsa inflacioni shënon 4.8%, dyfishi i mesatares në Evropë.

Qeveria në fillim kishte premtuan vende të reja pune dhe paga më të larta, por qytetarët po përballen me varfëri në rritje prej 22% dhe fuqi blerëse të reduktuar.

Edhe pse kjo qeveri kishte pretmuar ulje të huamarrjes, tani borxhi është rritur me 2.5 miliardë euro. Gjithashtu kjo qeveri pat premtuar mbështetje për bujqit prej 180 milionë eurosh, por fatkeqësisht janë ulur subvencionet me 40 milionë euro, shkruan “Zhurnal.mk”.

Të rinjt po ikin, sepse s’ka shpresë

Qeveria pat premtuar masa për të parandaluar emigrimin e të rinjve, por në këtë drejtim nuk ka asnjë të re. Biles, kryeministri tha se nëse të rinjtë nuk ndalojnë së ikuri në vendet e Evropës perëndimore, vendet e tyre do t’i zënë punëtorë nga vendet e treta. Kjo në fakt është pranim i pamundësisë për të bërë diçka në këtë drejtim.

Edhe pse u premtua zhdukja e korrupsionit dhe drejtësi për të gjithë, fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Maqedonia e Veriut ka një vlerësim prej 40 pikësh nga 100 të mundshme në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) të publikuar nga Transparency International. Ky rezultat e radhit vendin në pozitën e 84-të në nivel global midis 182 shteteve të monitoruara. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut shfaq një situatë stagnimi ku reformat e ngadalta në sistemin e drejtësisë mbeten sfida kryesore për luftimin e këtij fenomeni, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ngadalësohen investimet e huaja

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të publikuara në shkurt, investimet e huaja direkte në vitin 2025 ranë në 467.5 milionë euro. Kjo shifër është dukshëm më e ulët krahasuar me vitin 2024, ku investimet kapën vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.
Në vitin 2025, hyrjet neto u nxitën nga fitimet e riinvestuara (295.5 milionë euro) dhe kontributet në kapital (288.1 milionë euro), të kompensuara pjesërisht nga daljet neto nga huadhënia ndërkompani (116.1 milionë euro), sipas të dhënave të bankës qendrore.
Vetëm në tremujorin e katërt, investimet totale direkte në vend regjistruan një fluks neto prej 269.9 milionë eurosh, nga 351.4 milionë euro në tremujorin e katërt të vitit 2024.

Instituti Ekonomik i Vjenës ka theksuar se tensionet gjeopolitike globale, kriza në Lindjen e Mesme dhe rritja e kostove të inflacionit kanë gërryer besimin e investitorëve, duke dobësuar fluksin e kapitalit të huaj në vend.

Megjithatë, një ndër barrierat kryesore të Maqedonisë së Veriut në rrugën e investimeve është bllokimi që po vazhdon të ndodhë në integrimin në Bashkimin Evropian.

Prandaj, për të përmirësuar ekonominë dhe për të rritur besimin tek investitorët, është shumë e rëndësishme që Maqedonia e Veriut t’i sigurojë investitorët se vendi nuk shkon drejt izolimit, por deri në vitin 2030 më së voni do të bëhet anëtare e BE-së.

Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e standardi jetësor i qytetarëve janë të lidhura ngushtë me politikën e qeverisë, andaj Maqedonia e Veriut duhet të jetë shumë e matur dhe shumë fleksibile sa i përket reformave dhe rrugës së integrimit drejt BE-së, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër