Shkup, 23 prill, Zhurnal.mk – Pas qëndrimit për tetë vite në opozitë VMRO-DPMNE u rikthye vrullshëm e shumë fuqishëm në pushtet.
Sot kjo parti gëzon pushtet të madh dhe është partia me përkrahjen më të madhe në kampin maqedonas, dhe kështu edhe në vend, shkruan Zhurnal.mk.
Anketa e marsit
Anketa e faqes së lajmeve mkd.mk e bërë nga agjencia Market Vision në muajin e kaluar thotë se partia e Kryeministrit Hristijan Mickoski ka një mbështetje prej 24% të të gjithë 1200 qytetarëve të intervistuar.
28,1 përqind e të anketuarve thanë se nuk do të votonin në zgjedhjet e reja nëse do të mbaheshin, dhe 9,7% janë të pavendosur nëse do të dilnin për të votuar, 8,2 janë të pavendosur për cilën parti do të votonin, 7,1 refuzuan të zbulonin zgjedhjen e tyre dhe 2,5 refuzuan të sqaronin nëse do të dilnin apo jo.
Kur kjo pjesë e të anketuarëve pa përgjigje të qartë hiqen nga shifrat e përgjithsme të anketës, atëherë shifrat e mbetura thonë se nga ata që do të merrnin pjesë dhe ata që zbuluan se për cilën parti do të votonin, VMRO-DPMNE e Mickoskit ka një përkrahje prej 54,29%.
Çfarë e dobësoi LSDM-në dhe çfarë e ngriti VMRO-DPMNE-në?
Rikthimi i fuqishëm i VMRO-DPMNE-së në pushtet nuk ishte thjesht rotacion politik, por reflektim i një pakënaqësie të akumuluar dhe një momenti të ri politik në vend.
LSDM hyri në zgjedhje me barrën e pritshmërive të papërmbushura. Partia që dikur mobilizonte mbi narrativën e ndryshimit, gradualisht humbi aftësinë për të prodhuar shpresë politike.
Goditje shtesë për LSDM-në ishin edhe temat e ndjeshme identitare dhe frustrimi me procesin eurointegrues. Për shumë qytetarë, kompromiset nuk u përkthyen në progres konkret, por në zhgënjim politik.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE e lexoi me saktësi klimën politike. Ajo ndërtoi strategjinë mbi revoltën qytetare, mbi mesazhin për ndryshim dhe mbi një mobilizim të fortë partiak.
Pas tetë viteve në opozitë, u rikthye me organizim më të konsoliduar dhe me një narrativë të qartë opozitare.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare fitorja e madhe e VMRO-DPMNE-së me 58 deputetë erdhi edhe si rezultat i përplasjes së ashpër politike gjatë fushatës zgjedhore mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, përkatësisht liderëve Ali Ahmeti dhe Hristijan Mickoski. Debati i polarizuar mes dy kampeve mobilizoi elektoratin dhe ndikoi në konsolidimin e mbështetjes për VMRO-DPMNE-në, duke kontribuar në rezultatin e saj bindës.
VMRO-DPMNE kryesisht e gëzon këtë përkrahje sepse kombinon politikën identitare me premtime ekonomike konkrete, rritje pagash dhe projekte që shihen dhe janë konkrete. Nga premtimet për paga dhe pensione më të larta në realitet, këto punë natyrisht që e mbajnë përkrahjen të lartë.
Praktika ka dëshmuar që kur partitë arrijnë kulmin e suksesit apo mbështetjes natyrisht që pasojnë pastaj me rënie, disa graduale e disa të hovshme, pas një periudhe kohore.
Por sa do të mund të zgjasë kjo përkrahje e tashme ndaj partisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski?
Nëse bllokada e anëtarësimit në BE vazhdon, besimi i një pjese të votuesve të saj, përkatësisht votuesit më pragmatikë që presin përfitime ekonomike dhe integrim mund të bjerë përgjatë viteve.
Në të njëjtën kohë, retorika nacionaliste e VMRO-DPMNE-së ka gjasa të forcojë bazën e saj konservatore, sepse një pjesë e elektoratit e sheh BE-në si kërcënim për identitetin kombëtar, pikërisht për shkak të kushtëzimeve të mundshme nga Bullgaria për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Pra, nëse bllokada shihet si mbrojtje e sovranitetit, VMRO mund të ruajë një bërthamë të fortë votuesish, por nëse perceptohet si izolim dhe stagnim, atëherë përkrahja popullore ka gjasa të bjerë gradualisht.
E arsye tjetër relevante që e mbanë gjallë përkrahjen ndaj VMRO-së është opozita e dobët. Me fjalë të tjera, mungesa e alternativës e forcon dominimin e VMRO-së.
E ardhmja
Përkrahja ndaj VMRO-DPMNE-së mund të fillojë të bjerë nëse narrativa për “mbrojtjen e identitetit” përplaset me koston reale politike dhe ekonomike të bllokimit eurointegrues.
Arsyeja kryesore pse VMRO-DPMNE refuzon ndryshimet kushtetuese për bashkësinë bullgare si kusht për fillim të bisedimeve të anëtarësimit në BE, është mbrojtja e identitetit maqedonas sipas tyre, ndërsa politikisht kjo u jep përparësi për të kontrolluar ritmin e integrimit në BE dhe për të ruajtur përkrahjen e elektoratit nacionalist.
Dhe padyshim që kjo përkrahje krahas arsyeve të lartpërmendura mund të bie edhe si pasojë e rritjes së çmimeve, mungesa e investimeve, ekonomia e dobët, izolimi nga BE dhe skandalet e korrupsionit.
Nëse qytetarët nuk shohin përmirësim real, retorika nacionaliste nuk mjafton për ta ruajtur besimin. Sidomos, rritja e çmimit të derivateve të naftës dhe produkteve bazë ushqimore kjo dëmton drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve dhe natyrisht kjo ka ndikim negativ në përkrahje.
Efekti Shqipëri e Mali i Zi drejtë BE-së
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi avancojnë drejt anëtarësimit në BE gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet në vendnumëro, ndjenja e izolimit mund të bëhet faktor serioz politik. Në një skenar të tillë, presioni ndaj VMRO-DPMNE-së mund të rritet jo vetëm nga opozita, por edhe brenda vetë elektoratit të saj.
Arsyeja është e thjeshtë: kur qytetarët shohin fqinjët duke përfituar nga integrimi — ekonomi më të fortë, fonde evropiane dhe standard më të lartë jetese — kostoja e stagnimit bëhet më e dukshme. Kjo mund të krijojë çarje edhe te një pjesë e funksionarëve dhe votuesve të VMRO-së me orientim më pragmatik, të cilët mund ta shohin bllokimin e procesit si humbje të interesit shtetëror. Në atë moment, narrativa identitare mund të mos mjaftojë më për të ruajtur të njëjtën mbështetje politike.
Nëse fqinjët, Shqipëria dhe Mali i Zi, hyjnë në BE gjatë këtyre katër viteve të ardhshme, atëherë mund të ndodhë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut ta ndiejnë më fort izolimin e vendit.
Kjo mund të krijojë presion mbi VMRO-DPMNE, sepse një pjesë e funksionarëve të kësaj partie dhe një pjesë e elektoratit të saj që kanë mendësi më ndryshe do të shohin humbjen e përfitimeve ekonomike dhe sociale që sjell integrimi në BE. / Zhurnal.mk
