Fadil Pushkolli lirohet pas arrestimit në Maqedoninë e Veriut

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator, Zhurnal.mk – Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Pushkolli, është liruar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, disa orë pasi ishte ndaluar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia, transmeton Zhurnal.mk.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur vetë Pushkolli përmes një postimi, ku ka njoftuar se pas intervistimit dhe marrjes në pyetje nga autoritetet policore maqedonase, është lënë i lirë.

Pushkolli ka shprehur falënderim për Policinë e Maqedonisë së Veriut, duke veçuar pjesëtarët shqiptarë të policisë për, siç ka thënë ai, korrektësinë, respektin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procedurës.

“Pas një interviste dhe marrjes në pyetje, jam liruar nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Dua ta falënderoj Policinë e Maqedonisë së Veriut, në veçanti pjesëtarët e policisë shqiptare, për korrektësinë, respektin dhe sjelljen e mirë gjatë gjithë procedurës.

Faleminderit për korrektësinë dhe profesionalizmin!”, ka shkruar Pushkolli.

Arrestimi i tij ishte bërë në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet serbe. Pas procedurave të zhvilluara nga autoritetet maqedonase, ai është liruar dhe aktualisht ndodhet i lirë.

artikuj të ndërlidhura