Flasin familjarët: Vrasja në Spanjë e vëllait të Çakës që solli serialin tragjik në Elbasan

Nga Xh M
291 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 maj Zhurnal.mk – Një bisedë në dukje normale mes disa shqiptarëve, u kthye në skenë krimi atë ditë në një pikë karburanti të quajtur ‘Los Conejos’ në zonën e Tarragonës në Barcelonë. Dy automjete kishin qëndruar pranë njëra-tjetrës. Personat që ndodheshin në këto makina nisën papritur shkëmbim zjarri…

Në vendngjarje mbeti i vdekur 26-vjeçari nga Elbasani, Alfons Çaka, i njohur me nofkën “Noçe”. Viktima ishte i vetëm në makinë. Pranë trupit të tij të pajetë u gjet edhe një armë gjysmë-automatike, nga e cila ishte hapur zjarr ndaj vrasësve, që mundën të largohen të palënduar për t’u fshehur në zonën e Reus (Rojs) në Tarragona.

Viktima ishte vëllai i Everest Çakës alias Ibrahim Çaka, i ekzekutuar në vitin 2021 në Elbasan, pas implikimit në disa ngjarje kriminale…

Autoritetet spanjolle e hetuan krimin ndaj Alfonsit në pistën e larjes së hesapeve për shkak të prishjes së pazareve nga trafiku i drogës dhe prostitucioni. Duke rrëmuar në këtë drejtim, hetuesit ranë në gjurmët e autorit të krimit, shtetasit Florenc Alikaj alias Fatmir Alikaj, i njohur me nofkën “Lenc Kokëmadhi”. Ai ishte njohje e vjetër e viktimës Çaka.

Vladimir Merxhani, kunati i Florenc Alikajt, flet për herë të parë për gjenezën e përplasjes që solli mjaft tragjedi më pas…

“Vjen nga një konflikt i hershëm me Noçen, vëllain e Everest Çakës, se i thoshin Noçe. Kanë qenë të dy e bashkëpunonin, s’e di, diçka e tillë dhe zihen njëri me tjetrin deri kur u përdorën armët. Lidhjet i dinin ata të dy të ndjerët, në daç Noçja edhe Lenci, se çfarë kishin. Punonin me drogë e gjërat e tjera i dinë vetë, por ecim me fjalët e drejtësisë spanjolle që punonin me drogë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

Florenc Alikaj u arrestua më 20 maj 2008, në zonën e Tarragonës në Spanjë, 3 muaj pas vrasjes së Alfons Çakës. Ai prezantohej në zonë si shtetas bullgar, teksa mbante edhe një pasaportë false të këtij shteti.

Në vijim të hetimeve, në skenë doli një tjetër emër i njohur, ai i Zenel Mahmutit nga Elbasani. Ky shtetas, i njohur me nofkën Nel Çami, ishte bashkë me Florenc Alikajn në momentin e përplasjes që i mori jetën Alfons Çakës. Madje, ka dyshime se autori i vrasjes mund të jetë pikërisht Mahmuti. Ka të dhëna që sugjerojnë se viktima nisi të qëllojë i pari në drejtim të Florenc Alikajt. Në ato momente, shoku i tij, Zenel Mahmuti, u kundërpërgjigj duke i shpëtuar jetën Lencit. Kjo mendohet të ketë qenë arsyeja pse Alikaj mbajti vetë krimin mbi supe para gjykatës dhe Neli nuk pati asnjë përgjegjësi penale.

“Unë nuk di gjë që të jetë shpallur në kërkim në Spanjë Neli, megjithatë ai andej ka ndejtur”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Kjo është Silvana Omeri Mahmuti, motra e Nel Çamit, e cila flet për herë të parë për tragjeditë në familje dhe gjenezën e konfliktit. Ajo jep disa të dhëna interesante për ngjarjen e Tarragonës, të cilat nuk ekzistojnë as në dosjen e autoriteteve spanjolle…

“Sipas fjalëve të vëllait që kam biseduar, siç po flasim bashkë, se Neli ka qenë në një lokal që po hante bukë dhe vjen shoku vetë, Alikaj, i thotë “çohu se do ikim”. Ky ishte zënë me Çakën, kishin bërë llafe. Duke u ngritur, që hypi në makinë, Çaka vjen i terrorizon me pistoletë, mbaroi karikatori, vuri tjetrin. Dhe Neli me gjithë çunin gjuajnë, se me armë ishin, se kush e vrau e kush nuk e vrau nuk u mor vesh, se Neli, se Lenci…”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

“Lenci, duke u furnizuar me karburant, ka qenë i shoqëruar në karburant dhe ka qenë me Zenel Mahmutin. Dhe u vra Noçja”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

Me vrasjen në Barcelonë, lufta sapo ishte hapur mes 3 familjeve në Elbasan. Kundërpërgjigjja e parë erdhi në qelitë e burgut, ku vuante dënimin Florenc Alikaj.

“U dënua Lenci dhe njëkohësisht, kur Lenci dënohet, i bëjnë edhe atentat brenda në birucë, i bien me thikë, shtizë, por doli gjallë nga burgu…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër