Fuga: Inteligjenca Artificiale e ndihmon, por nuk e zëvendëson gazetarin. Luku: Rrezik dezinformimi

Nga D. V.
231 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 prill Zhurnal.mk – Gazetaria në Shqipëri po përjeton një transformim të thellë nën ndikimin e teknologjive të informacionit, por ky proces shoqërohet me sfida të shumta strukturore, profesionale dhe etike.

Anëtari i Akademisë së Shkencave, njëherësh pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Artan Fuga u shpreh në intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, inteligjenca artificiale në asnjë rast nuk mund të zëvendësojë gazetarin.

“Të gjitha ato supozime që mendojnë se kjo mund të ndodhë janë vetëm utopi. Në historinë e teknologjive, dihet se supozime të tilla lindin gjithmonë në fazën e parë të një revolucioni teknologjik, ashtu si po ndodh edhe tani. Kjo ka ndodhur prej mijëra vjetësh, ka ndodhur përsëri 500 apo 1000 vjet më parë, dhe po ndodh edhe sot. Ky është një fenomen historik, pa asgjë të re”, parashtroi Fuga.

Akademiku shpjegoi se si gazetaria nuk mund të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale duke dhënë disa arsye.

“Së pari, informacioni dhe gazetaria janë të orientuara drejt ngjarjeve të reja, të papërsëritshme, ndërsa inteligjenca artificiale aktualisht duhet të ushqehet me të dhëna të kaluar për të dhënë përgjigje, pra mbi bazën e asaj që ka qenë, jo të asaj që është”, thekson Fuga për ATSH.

“Së dyti, gazetaria kontekstuale mbulon ngjarje lokale dhe të papërsëritshme në nivel mikro, ndërkohë që tekset me të cilat ushqehet inteligjenca artificiale nuk përmbajnë pothuajse asgjë për këtë nivel detaji”, theksoi Fuga.

“Gazetaria ka gjithashtu këndvështrimin, përgjegjësinë sociale dhe logjikën emocionale, të cilat inteligjenca artificiale i ka të pamundura. Ajo nuk mund të zhvillojë politikë editoriale në raport me kërkesat e audiencës apo prioritetet e redaksisë”, vijoi akademiku Fuga.

Fuga shtoi se inteligjenca artificiale i përgjigjet pyetjeve që i parashtrohen nga gazetari dhe kërkon input konkret për të nxjerrë informacionin.

“Sot, gjithnjë e më shumë gazetarë apo botues mendojnë gabimisht se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë gazetarin dhe të shkruajë editoriale, komente apo opinione. Kjo është pjesë e gazetarisë së dobët, që dështon të transmetojë informacionin dhe nuk ka të bëjë me gazetarinë profesionale. Madje, çdo qytetar mund të përdorë kapacitetet e inteligjencës artificiale për të prodhuar të tilla tekste”, theksoi Fuga.

Sidoqoftë, shtoi Fuga, “gazetaria dhe inteligjenca artificiale mund të krijojnë një profesion hibrid, atë që quhet gazetari hibride, ku faktori njerëzor dhe teknologjia bashkëpunojnë në mënyrë të re për të prodhuar informacion”.

Ai thekson se, “inteligjenca artificiale mund të ndihmojë gazetarin për zhvillimin e backgroundit, organizimin e të dhënave, lehtësimin e përpunimit të informacionit dhe në shumë procese të tjera”.

Pra, sipas Fugës, “duhet të evitohet hipoteza utopike se gazetaria do të bëhet nga robotët, si dhe supozimi tjetër se gazetaria nuk ka nevojë për inteligjencën artificiale”.

Luku: Përdorimi i AI në media shqiptare mes përfitimeve dhe rrezikut të dezinformimit

Pedagogu i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, profesor i asociuar, Elvin Luku, u shpreh për ATSH se, përdorimi i platformave të inteligjencës artificiale në terrenin mediatik shqiptar po rritet ndjeshëm, ndonëse jo gjithmonë pranohet hapur nga gazetarët.

Sipas Lukut, një pjesë e gazetarëve hezitojnë të pohojnë përdorimin e mjeteve si ChatGPT në raportimin mediatik, kryesisht për shkak të mungesës së politikave të qarta rregulluese në nivel redaksional.

Ai thekson se inteligjenca artificiale sjell përfitime të dukshme, veçanërisht në përpunimin e të dhënave, përkthimin e volumit të madh të informacionit, redaktimin dhe gjenerimin e materialeve ilustruese.

Megjithatë, sipas tij, këto procese kërkojnë domosdoshmërisht ndërhyrjen e gazetarit apo editorit, i cili përcakton udhëzimet dhe kërkesat për përpunimin e përmbajtjes.

“Nëse përdoret si duhet, AI mund të rrisë ndjeshëm shpejtësinë dhe cilësinë e raportimit mediatik,” shprehet Luku.

Megjithatë, ai paralajmëron se përdorimi i pakontrolluar i këtyre teknologjive, sidomos nëse synon të zëvendësojë plotësisht punën e gazetarit, mbart rreziqe serioze.

Sipas tij, kjo mund të çojë në gabime faktike dhe në përhapjen e dezinformimit, duke cenuar standardet profesionale të gazetarisë.

Në këtë kuadër, Luku thekson nevojën për hartimin e politikave të qarta redaksionale dhe rritjen e transparencës në përdorimin e inteligjencës artificiale në media.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër