Gjermania korrigjon gabimin për Aeroportin e Prishtinës, nuk figuron më si pjesë e Serbisë

Nga D. V.
1,055 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar një pasaktësi në të dhënat e tij lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili, sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani, prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti i cili ka thënë se korrigjimi erdhi pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik.

“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë,” ka shkruar Ajeti.

Ai e ka cilësuar këtë si një shembull se bashkëpunimi mes qytetarëve dhe diplomacisë mund të sjellë rezultate konkrete.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete,” ka theksuar ai.

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo rast ku institucionet apo kompanitë gjermane nuk e paraqesin saktë Republikën e Kosovës apo qytetet e saj, duke kërkuar që bashkë me kërkesat të dërgohen edhe dëshmi përkatëse për verifikim dhe korrigjim.

Sipas Ambasadës, angazhimi për adresimin e pasaktësive të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër