Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Ka përfunduar procedura për blerjen e autobusëve të rinj dhe është nënshkruar marrëveshja, ndërsa aktualisht është në rrjedhë afati për dorëzimin e tyre – deklaroi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke theksuar se kryeqyteti do të ketë përparësi në shpërndarjen e automjeteve.
“Shkupi prej atyre 150 autobusëve ka përparësi, gjegjësisht derisa të plotësohet kuota prej 100 autobusësh për qytetin, nuk do t’u dorëzohen autobusë komunave të tjera. Këtë e ka thënë edhe ministri, zoti Nikollovski, dhe këtë e ka thënë edhe kryetari i Qeverisë, kështu që ja, po e përsëris edhe një herë”, tha kryetari i Shkupit.
Ai informoi se paralelisht po punohet në përgatitjen e infrastrukturës për autobusët e rinj, në koordinim me EVN-në dhe NQP-në.
“Një bashkëpunëtor i imi i afërt është përgjegjës si përfaqësues i Qytetit të Shkupit, ndërsa përgjegjës është edhe drejtori i NQP-së. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me EVN-në dhe tashmë të gjitha ekipet dhe skuadrat kanë dalë në terren për të punuar, në mënyrë që kur të mbërrijë seria e parë e autobusëve, ne të jemi të përgatitur me infrastrukturën. Diku bëhet fjalë për një rrjet të vjetër, i cili nuk mund ta përballojë kapacitetin, prandaj po hyjmë në rinovimin e rrjetit, ndërsa diku do të duhet të vendosen nënstacione elektrike për funksionalitet. Po punojmë në tri pika: njëra është stacioni i ri hekurudhor, tjetra është Autokomanda dhe e treta është Gjorçe Petrovi, kështu që do të jemi të përgatitur për procesin”, theksoi kryetari i Shkupit.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me ndërtimin e bulevardit Cvetan Dimov në Çair, Gjorgjievski tha se është duke u përgatitur projekti bazë dhe dokumentacioni i projektit, ku Komuna e Çairit është përgjegjëse për dokumentacionin, ndërsa Qyteti i Shkupit për sigurimin e mjeteve financiare dhe shpronësimin.
“Po e përgatisin projektin bazë. E dini se që nga fillimi kështu e kemi paralajmëruar, detyrimet e Komunës së Çairit janë që ta përgatisë të gjithë dokumentacionin e projektit, ndërsa detyrimi i Qytetit të Shkupit do të jetë të sigurojë mjetet financiare dhe të hyjë në realizim. Edhe shpronësimin do ta bëjmë ne si Qytet i Shkupit. Nga ajo që e përmbledhëm së fundmi në takim, është se deri në fund të vitit, siç e përmenda, besoj se do të shpallet procedura e tenderimit”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt që është paralajmëruar për më shumë se 30 vjet, por deri më tani nuk kishte arritur as në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të projektit.
Lidhur me vendosjen e sinjalistikës në vendkalimin për këmbësorë te Bit-Pazari, Gjorgjievski theksoi se projekti po përgatitet nga Sektori për komunikacion të Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me SPB Shkup, dhe njoftoi se së shpejti do të vijojë realizimi në terren.
