Goditi gazetarin Elton Qyno, gjykata vendos dy masa sigurie për bashkëshorten e Florenc Çapjas

Nga Xh M
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 gusht Zhurnal.mk – Gjykata e Tiranës ka caktuar dy masa sigurie ndaj Rozalinda alias Rosela Nallbatit, bashkëshortes së Florenc Çapjas, e cila po hetohet për goditjen e gazetarit investigativ Elton Qyno.

Gjykata ka vendosur masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur te Oficeri i Policisë Gjyqësore”.

Vendimi është dhënë në mungesë, pasi Nallbati është shpallur në kërkim që prej 30 korrikut 2026 dhe ende nuk është lokalizuar.

Ngjarja për të cilën ajo po hetohet ka ndodhur më 30 korrik, në ambientet e një spitali privat në Tiranë. Sipas kallëzimit, Nallbati dyshohet se ka goditur me telefon gazetarin Elton Qyno. Pas ngjarjes, policia e shpalli në kërkim për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Pavarësisht kontrolleve të kryera nga policia dhe FNSH-ja në Tiranë dhe Elbasan, 33-vjeçarja nuk është gjetur ende. Vendimi i gjykatës i është përcjellë Policisë së Shtetit për ekzekutim, ndërsa një kopje i është dërguar edhe Interpolit për procedurat përkatëse.

Gjatë caktimit të masave, gjykata ka marrë në konsideratë edhe gjendjen familjare të Nallbatit, e cila është nënë e dy fëmijëve të mitur, 3 dhe 5 vjeç.

Rosela Nallbati është bashkëshortja e Florenc Çapjas, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga GJKKO për vrasjen e dyfishtë të Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan, në vitin 2012.

Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj Nallbatit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër