Hita-Kozeli: Lirim i brezit të sigurisë në akset rrugore kombëtare, krijim i korridoreve të gjelbra

Nga D. V.
280 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 prill Zhurnal.mk – Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi takim pune me drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli.

Në takim morën pjesë edhe grupet e përbashkëta të punës, me qëllim nisjen e punës për marrjen e masave për lirimin e brezit të sigurisë në akset rrugore, duke qenë se javën e ardhshme do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave në anë të rrugëve kombëtare dhe krijimin e korridoreve të gjelbra.

Drejtuesit Hita dhe Kozeli theksuan rëndësinë e këtij operacioni mbarëkombëtar, për finalizimin e të cilit  nevojitet koordinim mes strukturave për marrjen e përgjegjësive dhe kryerjen e detyrave respektive.

Hita theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur këtë detyrë dhe kërkoi nga Departamenti i Sigurisë që strukturat e tij të jenë në mbështetje të plotë të ARRSH-së dhe krahas lirimit të hapësirave, të vijohet edhe me ndëshkimin e shtetasve përgjegjës, me masa administrative dhe penale.

Kozeli ka falënderuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për mbështetjen, dhe theksoi se ARRSH ka nisur punën për evidentimin dhe heqjen e çdo ndërtimi, objekti, tabele reklame, depozitimi materiali, si dhe të çdo përdorimi tjetër të palejuar brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, sipas inventarit të miratuar me VKM 234, datë 17.04.2024.

Kozeli bëri me dije se Drejtoritë Rajonale të ARRSH-së kanë nisur punën për njoftimin e të gjitha bizneseve, që me qëllim lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme, të marrin masa për heqjen e çdo objekti nga këto hapësira dhe për ndalimin e përdorimit të paligjshëm të hapësirave brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër