Hoxha: Me mbi 300 projekte infrastrukturore dhe zgjidhje sistemike po ndërtohet kthesa e gjelbër

Nga I.A
1,163 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 korrik, Zhurnal.mk – Në periudhën e kaluar, Ministria ka siguruar mjete dhe ka nisur realizimin e mbi 300 projekteve infrastrukturore të përmasave të ndryshme, duke përfshirë sisteme moderne të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe stacione pastruese në të gjithë vendin.

“Investimet ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qindra mijëra qytetarëve në mbarë vendin. Këto janë themelet e kthesës së gjelbër që po ndërtojmë dhe ndaj së cilës jemi plotësisht të përkushtuar”, theksoi ministri.

Si një nga reformat më të rëndësishme, në konferencën për shtyp u theksua vendosja e sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave. Për komunat tashmë është dorëzuar pajisje dhe mekanizim i rëndësishëm komunal.

Paralelisht po përgatiten tenderët për ndërtimin e qendrave rajonale në Rusino dhe Novaci, si dhe stacioneve të transferimit, ndërsa qendra në Sveti Nikole është në fazë të avancuar.

Ky sistem, siç u theksua, paraqet zgjidhje afatgjatë për deponitë ilegale në vend.

Në drejtim të luftës kundër ndotjes së ajrit, është miratuar Ligji i ri për kontrollin e emetimeve industriale, i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm.

Për ajër më të pastër, Ministria investon në zëvendësimin e sistemeve joekologjike të ngrohjes në objektet publike dhe po rrit në mënyrë intensive mbikëqyrjen inspektuese mbi industrinë.

Për më shumë transparencë, ka nisur përgatitja e Regjistrit Digjital me të dhëna të qasshme publikisht për emetimet industriale.

Në konferencën për shtyp u theksua edhe harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane, para së gjithash përmes Ligjit për Veprim Klimatik, i cili është në procedurë parlamentare, si dhe ligjeve të reja për natyrën, mjedisin jetësor dhe mbrojtjen e moçaleve Belçishko dhe Studençishko.

Në fund të fjalës së tij, ministri informoi se me ribalancin e buxhetit janë rritur mjetet për projektet kapitale, ndër to edhe për stacionin e pastrimit të ujërave në Shkup.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër