Institucionet vazhdojnë të heshtin më së shumti për shpenzimin e parave publike

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 shtator Zhurnal.mk – Institucionet shtetërore dhe komunat, mesatarisht, janë disi më të hapura ndaj qytetarëve krahasuar me vitin e kaluar, por një pjesë e konsiderueshme e tyre ende nuk i publikojnë në kohë informacionet më të rëndësishme, veçanërisht ato që lidhen me shpenzimin e parave publike.

Këtë e tregon Indeksi i Transparencës Aktive për vitin 2026 i Qendrës për Komunikime Qytetare, i cili këtë vit përfshin 102 institucione – Qeverinë, ministritë dhe të gjitha komunat.

Transparenca aktive mesatare këtë vit është 82 për qind, që është për dy pikë përqindjeje më shumë se 80 për qind sa ishte vitin e kaluar. Ministritë dhe Qeveria kanë një mesatare prej 86 për qind, ndërsa komunat janë në nivelin 81 për qind.

Megjithatë, rezultati më i mirë mesatar nuk do të thotë se të gjitha institucionet janë bërë më të hapura. Përkundrazi, madje 41 për qind e institucioneve të përfshira në hulumtim këtë vit kanë rezultat më të dobët se vitin e kaluar.

Në krye të listës së ministrive ka ndryshime. Pas pesë vitesh, Ministria e Mbrojtjes nuk është më në vendin e parë. Në krye këtë vit është Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, e cila ka arritur transparencë aktive maksimale prej 100 për qind dhe është ministria e vetme me një rezultat të tillë.

Sa u përket komunave, katër prej tyre kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 për qind – Gradsko, Demir Hisar, Zërnovci dhe Shtipi. Është interesante se asnjëra nga komunat që vitin e kaluar ishin në krye nuk ka arritur ta ruajë pozicionin e parë.

Në anën tjetër të listës është Komuna e Lozovës, e cila sërish ka rezultatin më të ulët nga të gjitha 102 institucionet. Transparenca e saj aktive është 36,9 për qind.

Kur analizohen rajonet, Rajoni Lindor për të katërtin vit radhazi është në vendin e parë. Këtë vit rezultati i tij është përmirësuar më tej, nga 88 për qind vitin e kaluar në 91 për qind.

Megjithatë, dobësia më e madhe mbeten informacionet për paratë. Ministritë publikojnë 71 për qind të informacioneve që priten në këtë fushë, ndërsa te komunat rezultati është edhe më i dobët – 64 për qind.

Kjo do të thotë se qytetarët e kanë më të vështirë të marrin informacione se si institucionet i planifikojnë dhe i shpenzojnë fondet publike. Pikërisht për këtë arsye, pavarësisht përmirësimit të rezultatit të përgjithshëm, informacionet financiare mbeten një nga dobësitë kryesore në transparencën e institucioneve.

Hulumtimi tregon problem edhe në rastet kur qytetarët kërkojnë drejtpërdrejt informacion nga institucionet. Të gjitha 102 institucioneve u është dërguar e njëjta kërkesë për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, në të njëjtën ditë.

Rezultatet tregojnë se 32 për qind e institucioneve ose janë përgjigjur pas skadimit të afatit ligjor, ose nuk janë përgjigjur fare.

Ndër institucionet me rezultatet më të larta janë Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital, me nga 97,6 për qind, ndërsa Ministria e Financave ka 94 për qind dhe Ministria e Mbrojtjes 93,2 për qind.

Ministria e Drejtësisë është në nivelin 83,3 për qind, Ministria e Shëndetësisë 88,6 për qind, ndërsa Ministria e Transportit 66,7 për qind.

Sa u përket komunave, përveç katër komunave me rezultat maksimal prej 100 për qind, në pozita të larta renditen Koçani, Pllasnica, Ilindeni dhe Kërçova, me nga 98,5 për qind.

Qendra dhe Gjevgjelia kanë nga 97 për qind, ndërsa Berova, Bërvenica, Gazi Babë, Karposhi, Kriva Pallanka dhe Kumanova janë në nivelin 96,9 për qind.

Në fund të listës, përveç Lozovës, janë Vrapçishti me 40,3 për qind, Sopishti dhe Nagoriçani i Vjetër me nga 40 për qind, Çuçer-Sandeva me 47,7 për qind, Bogovina dhe Studeniçani me nga 52,3 për qind, si dhe Gostivari me 55,4 për qind.

Indeksi i Transparencës Aktive zhvillohet çdo vit që nga viti 2016 dhe mat se në çfarë mase institucionet, pa qenë nevoja që qytetarët t’i kërkojnë, publikojnë vetë informacione me karakter publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër