Irlanda merr presidencën e BE-së, në fokus zgjerimi pa Maqedoninë e Veriut

Nga Xh M
1,032 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Dublin, 27 qershor Zhurnal.mk – Irlanda nga 1 korriku do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke udhëhequr punën e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.

Në programin e saj të punës, presidenca irlandeze ka vendosur si prioritete zgjerimin e BE-së, forcimin e konkurrencës, vlerave dhe sigurisë. Në këtë kuadër, si vende kryesore për përparim në procesin e integrimit përmenden Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk figuron në listën e prioriteteve të përmendura.

Dublini zyrtar thekson se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha vendet kandidate dhe potenciale për anëtarësim, duke mbështetur procesin e bazuar në merita. Sipas programit, Irlanda do t’i japë përparësi përmbylljes së negociatave me Malin e Zi dhe avancimit të tyre me Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë.

Në shtyllën e dytë të programit, të dedikuar për “vlerat evropiane”, theksohen sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e pakicave, në përputhje me nenin 2 të Traktatit të BE-së.

Ndërkohë, sipas raportimeve të “Politico”, Bashkimi Evropian po shqyrton një plan të ri për zgjerimin, sipas të cilit vendet kandidate mund të përfitojnë disa nga avantazhet e anëtarësimit edhe para pranimit zyrtar, por pa të drejta politike. Kjo përfshin qasje të pjesshme në tregun e përbashkët, programe financiare dhe marrëveshje tregtare të favorshme, në varësi të progresit të secilit shtet.

Komisioni Evropian pritet të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare për këtë nismë, ndërsa liderët e BE-së pritet ta diskutojnë atë në muajin tetor. Sipas analizave, qëllimi i Brukselit është të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të rikuperojë vonesat e viteve të fundit, duke ruajtur parimin se pa reforma nuk ka anëtarësim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër