Hagë, 23 shtator Zhurnal.mk – Vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka nxitur reagime dhe pikëpyetje të forta mbi drejtësinë e këtij procesi.
Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës në procesin ndaj Sllobodan Millosheviçit, Nevenka Tromp ngriti dyshime të mëdha mbi mënyrën se si u zhvillua gjykimi.
Tromp thekson se krahasimi i këtij procesi me gjyqet e mëparshme për ish-Jugosllavinë tregon një standard të dyfishtë. Sipas saj, ndërsa në të kaluarën komandantët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm ose u dënuan vetëm për raste të izoluara, Gjykata Speciale dha dënime ekstremisht të rënda pa një bazë të qartë ligjore.
“Si fillim, kam qenë e surprizuar se sa pak interes ka në Holandë dhe në shtypin evropian për të ndjekur në mënyrë kritike këtë lloj drejtësie. Nuk është e mundur që për krime të ngjashme dhe pozicione të ngjashme komanduese, dy gjykata në të njëjtin qytet të japin verdikte kaq të ndryshme. Ky element i shtetit të së drejtës është shumë jo i qartë. Një krahasim i thjeshtë midis dy gjykatave ndërkombëtare tregon se diçka shkoi vërtet keq”, tha Tromp.
Një tjetër pikë kritike e procesit ishte anshmëria e gjykatës gjatë hetimit. Gjykata pranoi pothuajse çdo kërkesë të prokurorisë, ndërsa refuzoi kërkesat e mbrojtjes. Tromp tha se Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi sakrifikuan dekada për lirinë e vendit të tyre ndërsa sot përballen me dënime që rrezikojnë t’u marrin jetën në qeli.
“Gjyqi i Hashim Thaçit nuk ndoqi parametrat e asaj që ne e quajmë proces i drejtë. Ka mjaftueshëm tregues për të vendosur një pikëpyetje të madhe mbi drejtësinë e këtij procesi. Sidomos Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën dënime kaq të rënda, sa në fakt do të thotë se do të qëndrojnë në burg derisa të ndërrojnë jetë. Këto janë mesazhe shumë të vështira morale dhe etike. Çështja e vetme tani është se sa ka përfituar mbrojtja nga kjo vuajtje dhe dënim deri në fund të jetës së tyre”, tha Tromp.
Për më tepër, ish-hetuesja nënvizoi se gjatë hetimeve ndaj Sllobodan Millosheviçit, Beogradi dorëzoi me mijëra dokumente, por në asnjë prej tyre nuk pati prova që implikonin udhëheqjen e UÇK-së për krime kundër njerëzimit.
“Nuk bën sens që një drejtues i lartë apo kryetar shteti të merret me krime individuale në terren, askush nuk do ta merrte një risk të tillë. Pse u pritën më shumë se 20 vite për të paraqitur prova të tilla, kur ne nuk i kishim ato dokumente gjatë hetimeve tona? Kjo gjykatë që prej fillimit është themeluar mbi baza tërësisht të gabuara dhe monoetnike, duke adresuar vetëm njërën palë në luftën e Kosovës”, tha Tromp.
Sipas ekspertes Tromp, rruga e vetme për korrigjimin e këtyre shkeljeve mbetet faza e Apelit. Ajo këshillon se mbrojtja e të akuzuarve duhet t’i përqendrojë të gjitha forcat në përgatitjen e argumenteve mbi cenimin e të drejtave të njeriut, procedurat e anashkaluara ligjore dhe shkeljen e prezumimit të pafajësisë gjatë gjithë procesit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar në nëntor 2020 duke qëndruar në paraburgim në Hagë. Pas 6 vitesh, Gjykata Speciale i dënoi ata për krime lufte dhe i shpalli të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit. Sipas gjykatës së Hagës, krimet nga 4 ish-drejtuesit kryesorë të UÇK-së, janë kryer përgjatë viteve 1998-1999 në luftën kundër ish-Jugosllavisë.
