Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN‑it, Izet Mexhiti, mori pjesë në Galën e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro‑Amerikane në Nju Jork, mes personaliteteve që prej vitesh punojnë për ta mbajtur të fuqishme lidhjen e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këshilli përfaqëson një zë të organizuar të komunitetit shqiptaro‑amerikan dhe angazhohet drejtpërdrejt me institucionet amerikane dhe Kongresin për çështjet që prekin shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe në gjithë rajonin.
Mexhiti theksoi se për shqiptarët kjo lidhje ka një rëndësi të veçantë, duke kujtuar se mbështetja amerikane për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve ka qenë vendimtare në periudha të rëndësishme të historisë. “Në momentet kur shqiptarëve u janë dashur miq të fuqishëm, i kemi pasur në Uashington”, u shpreh ai.
Ai vuri në dukje se sot shqiptarët në SHBA kanë arritur sukses në biznes, diplomaci, profesione të ndryshme dhe në jetën publike, ndërsa arritjet e tyre janë fuqi për shqiptarët kudo që jetojnë. Një diasporë e organizuar dhe e suksesshme, sipas Mexhitit, krijon më shumë hapësirë që interesat shqiptare të dëgjohen atje ku merren vendime të rëndësishme.
“Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga lidhjet më të rëndësishme strategjike që shqiptarët kanë ndërtuar ndër dekada. Detyra jonë është ta ruajmë dhe ta forcojmë këtë miqësi, ndërsa potencialin e diasporës ta kthejmë në më shumë përfaqësim, bashkëpunim dhe mbështetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë”, deklaroi Mexhiti.
