Janevska: Fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, mësoni dhe mos e zgjidhni dhunën si zgjidhje

Nga D V
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 shtator, Zhurnal.mk – Në ditën e parë të vitit shkollor 2026/2027, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, vizitoi shkollën fillore “Kiro Gligorov” në Shkup, prej ku u uroi fillim të mbarë dhe shumë suksese të gjithë nxënësve, prindërve, mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në vend.

“Mësoni, sepse dija është forca më e madhe që mund të fitoni. Këtë pasuri askush nuk mund t’jua marrë, ndërsa me të mund të bëni shumë gjëra të mira. Mund t’i realizoni dëshirat tuaja dhe të arrini në vendet për të cilat ëndërroni, ndërsa gjithçka që duhet të bëni është të besoni në veten tuaj dhe të mësoni çdo ditë”, tha ministrja.

Ajo u kërkoi nxënësve që asnjëherë të mos e zgjedhin dhunën si zgjidhje.
“Zgjidhni të jeni miq me fëmijët e tjerë. Mos i tallni dhe ndihmojini. Fyerjet, fjalët ofenduese dhe dhuna nuk nënkuptojnë se jeni të fortë. Përkundrazi. Ato janë shenjë dobësie. Nëse dikush është ndryshe nga ju, kjo nuk do të thotë se duhet ta përqeshni apo ta largoni”, theksoi Janevska.

Duke iu drejtuar prindërve, ajo apeloi që t’u kushtojnë më shumë vëmendje fëmijëve të tyre. “Kur mësuesit dhe familja punojnë së bashku për ndërtimin e nxënësve empatikë, atëherë mund të krijojmë mjedise shkollore ku të gjithë ndihen të sigurt dhe të pranuar. Prindërit janë aleatët tanë më të rëndësishëm në përpjekjet për të ndërtuar breza të rinjsh që kanë njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për jetën dhe punën në kohën e re. Gjëja më e çmuar që fëmijët mund të marrin nga prindërit është dashuria dhe vëmendja e tyre. Kur shtëpia është e qetë dhe e mbushur me ngrohtësi, fëmijët vijnë pa brenga në shkollë, të gatshëm për të përvetësuar gjithnjë e më shumë njohuri. Vetëm kështu mundemi së bashku, mësuesit dhe prindërit, t’u përcjellim fëmijëve vlera të vërteta”, shtoi Janevska.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe “Makedonski Telekom” gjatë vitit shkollor do të realizojnë një fushatë për ndërtimin e një mjedisi pozitiv shkollor dhe unitetit ndërmjet të rinjve, të orientuar kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve. Fushatën, para fillimit të orës së parë mësimore, e paralajmëruan ministrja Janevska dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv I operatorit të telekomunikacionit, Goran Markoviq.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër