Janevska: Pa angazhimin e prindërve nuk ka luftë efikase kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve

Nga Xh M
947 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 korrik Zhurnal.mk – Dhuna mes bashkëmoshatarëve mund të ndalet vetëm nëse të gjithë – institucionet, mësimdhënësit dhe i gjithë komuniteti – angazhohen me seriozitet të plotë. Megjithatë, rol veçanërisht të rëndësishëm kanë prindërit. Në shumë familje mungon kujdesi dhe përkushtimi i nevojshëm ndaj fëmijëve. Jo në të gjitha, por në shumë prej tyre mungon pikërisht komponenti edukativ, që është baza për një rritje të shëndetshme, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panelin edukativ për prindër dhe kujdestarë të nxënësve me temë dhunën mes bashkëmoshatarëve, i cili u mbajt sot në Shtëpinë e Kulturës “11 Tetori” në komunën e Gazi Babë.

“Rasti i fundit i dhunës mes bashkëmoshatarëve tregoi fëmijë me mungesë empatie dhe me vlera të shtrembëruara. Disa ushtrojnë dhunë ndaj një fëmije, ndërsa të tjerët qëndrojnë anash, incizojnë dhe argëtohen, në vend që ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë. Kjo dhunë është alarm për të gjithë shoqërinë. Ajo është pasojë e mungesës së lidhjes edukative ndërmjet prindërve dhe fëmijëve”, tha Janevska, duke shtuar se pa angazhimin e prindërve çdo nismë për përballimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve mbetet joefikase.

Ministrja theksoi se pikërisht për këtë arsye, në nivel kombëtar janë iniciuar takime të drejtpërdrejta me prindërit e fëmijëve dhe mësimdhënësit, siç ishte edhe takimi i sotëm. Qëllimi është që problemet të diskutohen hapur, të dëgjohen sfidat me të cilat përballen familjet dhe shkollat, si dhe të shkëmbehen ide dhe iniciativa për veprim të përbashkët kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve.

Ajo paralajmëroi vendosmëri në luftën kundër kësaj dukurie dhe një reagim të rreptë institucional.

“Duhet të ketë përgjegjësi edhe për prindërit. Kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme dhe do të pasojnë sanksione për të gjithë të përfshirët, si dhe për prindërit e tyre. Shkaktari më i shpeshtë i dhunës mes bashkëmoshatarëve është dhuna në familje dhe neglizhimi i fëmijëve”, deklaroi Janevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër