Tetovë, 31 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë sot në turneun tradicional ndërkombëtar të karatesë “Golden Cup Tetova 2026”, një nga organizimet e rëndësishme sportive që bashkon sportistë dhe klube nga disa vende të rajonit.
Turneu, i organizuar nga Klubi i Karatesë “Shkëndija”, nën udhëheqjen e trajnerit Vegim Murati, në bashkëpunim me Federatën e Karatesë së Maqedonisë së Veriut, me kryetar Besnik Muratin, mblodhi sportistë dhe përfaqësues të klubeve nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Bullgaria.
Pjesëmarrja e një numri të madh garuesish nga vende të ndryshme e shndërroi këtë aktivitet në një manifestim të rëndësishëm sportiv, duke i dhënë Tetovës mundësinë të dëshmojë kapacitetet e saj organizative dhe potencialin për të pritur ngjarje ndërkombëtare.
Kasami vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për promovimin e sportit dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet të rinjve nga vende të ndryshme. Ai theksoi se sporti nuk është vetëm garë dhe rezultat, por edhe disiplinë, respekt, miqësi dhe bashkim.
“Golden Cup Tetova 2026” është një tjetër dëshmi se Tetova mund të jetë pikëtakim i rëndësishëm i aktiviteteve sportive rajonale dhe ndërkombëtare, duke promovuar qytetin dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e sportit dhe talentëve të rinj.
https://www.facebook.com/KasamiBilall/posts/pfbid02yCh5L8BGJTScvNfrivcpU6tmqsQg9pd1jFKEvvFLSRMnJhjXHTdo9vz1Y8hca1WAl
