Shkup, 30 prill, Zhurnal.mk – Pas takimit të grupit punues për Kodin Zgjedhor, koordinatori i grupit parlamentar të Levicës, Borisllav Kërmov, deklaroi se sjellja e LSDM-së ngre dyshime serioze për qëllimet e tyre reale në këtë proces.
“Që nga fillimi i procesit për ndryshimin apo hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, ne kemi shprehur dyshime për sinqeritetin e aktorëve politikë – nëse vërtet po bëhet Kod Zgjedhor apo vetëm po zhvillohet një proces që nuk do të përfundojë me rezultat”, tha Kërmov.
Sipas tij, mungesa e LSDM-së në takimin e sotëm është e qëllimshme.
“Dyshimet tona janë se kjo është një përpjekje për të censuruar sërish Levicën për zgjedhjet e ardhshme, sepse nga LSDM dukshëm ndihen të kërcënuar”, u shpreh ai.
Kërmov vlerësoi se, në një situatë të kaosit të brendshëm dhe paaftësisë në LSDM, arma e vetme që u ka mbetur është ruajtja e kushteve jofair në terren.
