Shkup, 30 Prill, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian (KE) tha se i ka dhënë fund ndëprerjesë së shpërndarjes së fondeve për sektorin bujqësor të Maqedonisë së Veriut, pas disa muajëve pezullimi pagesash për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të parave të BE-së për bujqit e Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.mk.
KE tha në një përgjegje me shkrim se vendimi është marrë para dy dite, pasi informatave dhe masave që kanë ndërmarrë autoritetet në Shkup.
“Pas një vlerësimi të informatave të dhëna dhe masave të marra nga autoritetet kombëtare në muajt e fundit, Komisioni Evropian ka vendosur (më 28 prill 2026) ta heqë këtë ndërprerje,” tha një zëdhënës i KE për Zhurnal.mk.
“Megjithatë, Komisioni i ka ftuar autoritetet të hartojnë një plan veprimi të detajuar që adreson dobësitë e identifikuara në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit për shpenzimet e IPARD në Maqedoninë e Veriut,” tha zëdhënësi sot.
Mirëpo zëdhënësi nuk sqaroi se çfarë ka qenë vlerësimi dhe informatat e marra nga Shkupi që ndikoi në ndryshim vendimi pas dyshimeve për keqpërdorim të parave.
Dy ditë më parë Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski njoftoi se fondet e BE-së nga programi IPARD janë “përsëri në dispozicion të fermerëve maqedonas.”
“Sipas aktiviteteve të ndërmarra në kohë, kontrolli i plotë dhe i detajuar i përdorimit të fondeve nga programi IPARD ka përcaktuar se nuk ka parregullsi në vetë procedurat. Që do të thotë se sistemi funksionon, institucionet veprojnë me përgjegjësi, në mënyrë transparente në interes të fermerëve maqedonas,” tha ai.
Një drejtor i një agjencie publike të pagesave për sektorin e bujqësisë është midis pesë të paditurve nga prokuroria në Shkup për akuza ryshfeti lidhur me programin IPARD.
Zyrtari Autorizues Kombëtar (NAO) i Maqedonisë së Veriut pat vendosur gjithashtu të pezullojë të gjitha pagesat në kuadër të programit IPARD III 2021-2027 nga 7 nëntori 2025 pas rastit të drejtorit i mëparshëm të Agjencisë së Pagesave.
BE-ja ka ndarë gjithsej 97 milionë euro për fondin IPARD III të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2027, nga të cilat 7 për vitin 2021, 8 për vitin 2022, 12 për vitin 2023, 15 për vitin 2024, 17 për vitin 2025, 18 për vitin 2026 dhe 20 për vitin 2027.
KE-ja ndërkohë ende e ka në fuqi pezullimin e shpërndarjen së 112 milionë eurove për qeverinë e Shqipërisë, për shkak të një rasti të keqpërdorimit të rreth 33 milionë eurove nga fondet IPARD II, dhe rasti është nën hetim, si nga KE-ja ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë. / Zhurnal.mk
