Kompania shtetërore “KAYO” e përfshirë në trafik armësh? Administratori Ardi Veliu reagon për akuzat e Arben Ahmetajt

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator Zhurnal.mk – Administratori i KAYO, Ardi Veliu ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Arben Ahmetaj për trafik armësh. Në një intervistë për Opinion me gazetarin Blendi Fevziu, Veliu ka mohuar çdo pretendim, teksa tha se është e pamundur që një produkt që do të prodhohet në një vend tjetër, të paketohet këtu dhe të eksportohet.

“KAYO, duke qenë shoqëri tregtare, ka të gjithë të drejtën të zhvillojë aktivitete në Shqipëri dhe të dalë në eksport me të gjitha prodhimet që do të prodhohen në Shqipëri. Për të shkuar në prodhim, legjislacioni shqiptar është i rregulluar. Për të prodhuar, duhet të marrë licencë. Ne nuk mund të importojmë lëndë të para që do të përdoren për prodhimin e produkteve të licencuara që janë në luftë, nuk janë vende mike. Është e pamundur që një produkt që do të prodhohet në një vend tjetër, të paketohet këtu dhe të eksportohet“- tha Veliu.

Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë nga Zvicra për gazetarin Çim Peka, gjatë së cilës ka publikuar disa audiopërgjime që sipas tij hedhin dritë mbi një skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike, grabitjeje të aseteve shtetërore dhe trafiku ndërkombëtar të armëve.

Në qendër të pretendimeve të Ahmetajt janë biznesmeni Ron Yeffet, kompania “Timak Defense”, si dhe ajo që ish-zëvendëskryeministri e cilëson si “koncepti KAYO”. Sipas Ahmetajt, audiopërgjimet e publikuara gjatë intervistës përmbajnë të dhëna që lidhen me mënyrën e funksionimit të skemës së pretenduar dhe me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në të.

Në audiopërgjim të publikuar disa ditë më parë, dëgjohet Ron Yeffet, një amerikano-izraelit, i cili i parashtron planet për tranzit armësh (që do të prodhohen në Sudan apo Nigeri, ambalazhohen në Shqipëri e me destinacion Ukrainën), një biznesmeni ukrainas me emrin Igor.

Ron Yeffet, një vit më parë ka marrë 49% të aksioneve nga kompania TIMAK e Arjeta Puca. KAYO në bashkëpunim me TIMAK kanë krijuar kompaninë bijë TIMAK Defence (për prodhim dhe përshtatje të automjeteve në bazë të nevojave të ushtrisë shqiptare) nga ku KAYO ka 20% të aksioneve ndërsa TIMAK Defence 80%.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër