Kontratat e përhershme zgjidhje për qytetarët apo veprim për pikë politike?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhunal.mk – Propozim ligji i VLEN-it për transformimin e kontratave të përkohshme në marrëdhënie të rregullta pune ka hapur një debat të rëndësishëm që prek një nga plagët më të vjetra të administratës publike në Maqedoninë e Veriut pasigurinë e mijëra të punësuarve që prej vitesh punojnë në institucione pa status të rregulluar. Përderisa VLEN e paraqet këtë nismë si një zgjidhje sociale dhe institucionale, opozita shqiptare në kuadër të Frontit Evropian paralajmëron rrezikun e keqpërdorimeve partiake. Kështu, përplasja nuk zhvillohet vetëm rreth një ligji, por rreth konceptit se si duhet të ndërtohet administrata publike mbi sigurinë sociale apo mbi konkurrencën dhe meritokracinë, shkruan Zhurnal.

Vendime në vend të kontratave

Në thelb të propozimit qëndron një problem real pasi për vite me radhë, institucionet shtetërore kanë funksionuar falë një numri të madh punonjësish të angazhuar me kontrata të përkohshme, kontrata në vepër, kontrata autoriale apo forma të tjera angazhimi që nuk garantonin stabilitet profesional. Kjo kategori e punëtorëve shpesh ka qenë e ekspozuar ndaj presioneve politike, pasigurisë ekonomike dhe mungesës së perspektivës afatgjate.

Prandaj, argumenti i VLEN-it se “vendi i punës nuk është privilegj partiak” rezonon me një pjesë të opinionit publik që e sheh rregullimin e statusit të këtyre punonjësve si korrigjim të një padrejtësie shumëvjeçare. Nëse këta persona realisht kanë kryer punë të rregullta dhe të vazhdueshme për institucionet, atëherë shteti ka përgjegjësi të qartë për t’u garantuar siguri juridike dhe sociale.

Megjithatë, pikërisht këtu lind edhe dilema më e madhe politike. Opozita argumenton se procesi mund të shndërrohet në një legalizim të punësimeve që janë bërë ndër vite sipas logjikës partiake. Historikisht, administrata publike shpesh është përdorur si instrument për shpërblimin e militantëve politikë, ndërsa ndryshimet e pushtetit kanë sjellë edhe valë të reja punësimesh të motivuara politikisht.

Nga ky këndvështrim, kritika e Frontit Evropian nuk është domosdoshmërisht kundër rregullimit të statusit të punëtorëve, por kundër mungesës së garancive të mjaftueshme që procesi do të jetë transparent, i drejtë dhe i bazuar në kritere objektive. Nëse nuk ekziston një mekanizëm i qartë verifikimi, atëherë transformimi i kontratave mund të perceptohet si një amnisti kolektive për punësime që nuk kanë kaluar nëpër procedura konkurruese.

Vendimet lajm i mirë, por “racionalizimi” administratës lajm shqetësues

Situata nuk duket bardhë dhe zi kur merret parasysh fakti se qeveria paralelisht po promovon reforma që synojnë racionalizimin e administratës publike. Kjo krijon një perceptim kontradiktor pasi nga njëra anë flitet për zvogëlim të barrës administrative dhe riorganizim të sektorit publik, ndërsa nga ana tjetër propozohet sistemimi i një numri të madh personash në marrëdhënie të përhershme pune. Kjo kontradiktë kërkon shpjegim politik dhe ekonomik, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se cili është vizioni afatgjatë për administratën.

Në planin politik, kjo çështje ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt edhe në raportet mes partive shqiptare. VLEN po përpiqet të paraqitet si forcë që zgjidh problemet konkrete të qytetarëve dhe jo vetëm çështje të karakterit identitar. Ndërkohë, BDI dhe partnerët e Frontit Evropian synojnë ta paraqesin këtë iniciativë si një mekanizëm të mundshëm për konsolidimin e ndikimit partiak të pushtetit aktual.

Kujtojmë që, nëse procedura do të jetë transparente, me kritere të qarta dhe me mbikëqyrje institucionale, atëherë mund të përfaqësojë një korrigjim të vonuar ndaj mijëra punonjësve. Nëse procesi perceptohet si selektiv dhe politik, atëherë do të forcojë bindjen se administrata vazhdon të jetë arenë e interesave partiake. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura