Kryeministri Edi Rama i quan sulm nga Irani protestat në Zvërnec

Nga Xh M
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 qershor Zhurnal.mk – Edhe në ditën e gjashtë me radhë banorë të zonës së Zvërnecit dhe Nartës, bashkë me aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë organizuar protesta kundër siç thonë, një projekti turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Portonovos brenda kompleksit të njohur natyror Pishë Poro-Nartë. Protestuesit shprehen se projekti mund të dëmtojë zonën e mbrojtur e cila është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit ndërsa mund të ndikojë dhe në ekosistemin e lagunës dhe habitatet e shpendëve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë samitit në Tivat u shpreh se në fakt protestat nuk organizohen nga ambientalistët por nga iranianët. Sipas tij, kjo protestë është një nga sulmet që i ka kryer Irani kohët e fundit ndaj Shqipërisë.

“Atje nuk është çështje mjedisore, është luftë hibride. Pas protestës janë iranianët që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme. Kjo nuk ka të bëjë me ambientalistët. Armiq të vendit të cilët i njohim, të gjithë ata që e njohin historinë tonë i njohin iranianët të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh për një kohë të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme”, u shpreh kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ambientalistët dhe banorët e Zvërnecit morën mbështetje solidarizuese edhe nga Shkupi. Disa qytetarë dje para ambasadës së Shqipërisë në Shkup u mblodhën në shenjë proteste duke dërguar mesazh mbështetjeje kundër këtij projekti. Para ambasadës lanë pankarta me mbishkrim “Shkupi është me Shqipërinë” dhe u vendos një balon në formë flamingoje, në shenjë të mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit në Zvërnec.

Protestuesit kërkojnë ndërprerjen e punimeve deri në një rishikim të plotë të procedurave mjedisore dhe të pronësisë. Siç thonë protestuesit, në zonën e mbrojtur planifikohet të ndërtohet një resort luksoz që lidhet me vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër