Shkup, 16 Prill, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot në një forum për arsimin e lartë se propozim ligji për arsim të lartë synon që të krijojë ofertë për të rinjtë pas përfundimit të studimeve të qëndrojnë në vend e të kontribuojnë në tregun vendor të punës.
“Për mua, është veçanërisht e rëndësishme që zgjidhja e re ligjore të krijojë kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu,” citohet të ketë thënë Mickoski në një komunikatë për shtyp nga zyra e tij në forumin e mbajtur sot për këtë çështje.
“Për herë të parë, studentët që studiojnë në 100 universitetet më të mira botërore me bursa shtetërore, si dhe studentët më të mirë në Maqedoni – fitues të Unazës së Inxhinierisë ose të shpallur më të mirët në universitetet e tyre – do të kenë përparësi gjatë punësimit në universitetet shtetërore,” tha ai duke folur për propozim ligjin.
“Të rinjtë janë çelësi i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit. Po prezantojmë gjithashtu një model të ri të financimit të institucioneve të arsimit të lartë. Një pjesë e fondeve do të drejtohet drejt zhvillimit, dhe një pjesë do të varet nga rezultatet. Më shumë përpjekje e investuar do të thotë më shumë fonde. Do të investojmë më shumë, por do të kërkojmë edhe llogaridhënie,” shtoi kryeministri.
Ai po ashtu tha se buxheti për universitetet këtë vit arrin në 7.5 miliardë denarë.
“Ky trend do të vazhdojë. Paralelisht, po stimulojmë edhe aktivitetin shkencor, sepse në botën moderne, ata që krijojnë njohuri, jo vetëm ata që e përdorin atë, lulëzojnë. Duke mbështetur punimet shkencore, duke rritur citimet dhe duke forcuar dukshmërinë ndërkombëtare, ne duam që universitetet tona të njihen përsëri si qendra të cilësisë dhe inovacionit,” tha Mickoski duke shprehur besimin e tij se ndryshimet e reja të propozuara do të japin rezultatet e synuara.
