Editorial / Samiti i diasporës përçoi mesazhe të fuqishme, por mbi të gjitha duhen vepra e jo vetëm fjalë!

Nga D. V.
638 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 prill, zhurnal.mk – Samiti IV i Diasporës që po mbahet në Tiranë, kësaj radhe ka bërë shumë zhurmë. Mediat maqedonase e panë këtë grumbullim të shqiptarëve si “kërcënim” nga ku dalin mesazhe të shumta dhe të fuqishme politike për situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër shumë figura të njohura që vijnë direkt nga diaspora, dhe që nuk çajnë kokën për politikat ditore në Tiranë e Prishtinë, e panë këtë Samit vetëm si një propagandë të qeverisë Edi Rama. Sidoqoftë, ky Samit përçoi mesazhe të forta, por la të kuptohet se në të ardhmen duhet të bëhen më shumë vepra konkrete, e më pak reklamë, ndryshe do ta humbë kuptimin e këtij mbledhimi të shqiptarëve gjithandej ku jetojnë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Mesazhe për Maqedoninë e Veriut!
Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha në Samitin e Diasporës tha se gjuha shqipe është ADN-ja e shqiptarëve. Ai mes tjerash tha se nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë, atëherë përgjegjësia është vetëm e jona. Prandaj, ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut, për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.

Ministri shqiptar tha se duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën shqipe çdo fundjavë, në çdo klasë e në çdo aktivitet.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në Tiranë tërhoqi vërejtjen se Maqedonia e Veriut nuk ka ardhmëri dhe ditët do të ketë të numëruara nëse nuk ka bashkëjetesë e bashkëqeverisje midis maqedonasve dhe shqiptarëve.
“Çdo koment tjetër që mund të bëhet, se a mund të bëhet ligj më i mirë (për përdorim të gjuhëve), a mund të bëhet kështu e a mund të bëhet ashtu, është vetëm për të grryer përfundimisht Marrëveshjen e Ohrit dhe për t’ia ndryshuar karakterin kësaj marrëveshje ndërkombëtare,” tha Ahmeti.
Në ditën e parë të Samitit, kryeministri i Shqipërisë tha se s’duhet ta harrojë askush se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një popull shtet formues të republikës fqinje dhe mike të Maqedonisë së Veriut.
Këto deklarata janë mesazhe të fuqishme në momentet kur në Maqedoni të Veriut kanë shpërthyer në sipërfaqe probleme me gjuhën shqipe, siç është mos-lejimi nga ana a ministrit maqedonas të drejtësisë Igor Filkov i studentëve shqiptarë të juridikut që të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare, shkruan “Zhurnal.mk”.

Samiti vetëm për propagandë!
Ky është samiti i katërt që qeveria organizon në harkun kohor të 10 viteve, pa pasur një bilanc të qartë mbi përfshirjen reale të diasporës në zhvillimin e vendit. Disa prej pjesmarrësve nga diaspora i shohin me mosbesim samite të tilla, ku diaspora përdoret si fasadë.
“Narrativa e bukur, po mungojnë aktorët kryesorë, që janë Diaspora,” tha Eva Baçi, një juriste që jeton dhe punon në Bolonja të Italisë, duke marrë fjalën për pyetje në një prej paneleve. Ajo protestoi për organizimin e paneleve vetëm me politikanë dhe shfrytëzimin e diasporës vetëm për statistikë dhe jo si potencial real për zhvillimin e vendit.
Edhe të pranishëm të tjerë u shfaqën mosbesues ndaj premtimeve, ndërsa Diaspora për Shqipërinë e Lirë – një nga organizatat që udhëhoqi fushatën për votën e diasporës refuzoi pjesëmarrjen, duke e konsideruar samitin “të mbështjellë me retorikë patriotike, por i zbrazët në përmbajtje dhe thelb”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Mërgata ka rol të rëndësishëm në politikbërje!
Përveç retorikës për ‘rol strategjik’, diaspora vazhdon të mos ketë përfaqësim politik real edhe pse ka ndikim dhe kontribut të saj në çdo palë zgjedhje. Në praktikë, diaspora trajtohet si burim remitancash, mbushje e buxhetit por jo edhe si partner në vendimmarrje kombëtare.
Këtyre Samiteve po i mungojnë platformat që prodhojnë politika konkrete për përfshirjen e diasporës në jetën publike dhe ekonomike të shqiptarëve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, shqiptarëve që jetojnë jashtë iu dha për herë të parë e drejta për të votuar në Shqipëri. Ngjashëm të drejtë vote kanë edhe diaspora e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut.
Në Shqipëri, rezultatet treguan për një votë masive për partinë e Edi Ramës, ndërsa në Kosovë për partinë e Albin Kurtit, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut shqiptarët kishin ardhur disa herë të votojnë dhe kishin bërë kthesa të mëdha. Në veçanti është ndikimi në zgjedhjet lokale, duke e fituar Kërçovën dhe Strugën, por fatkeqësisht të dëshpëruar në herën e fundit, e humbën Kërçvovën. Megjithatë, falë diasporës shqiptare u fitua për herë të parë nga shqiptarët komuna e Çashkës, shkruan “Zhurnal.mk”.

Të krijojmë kushte që ta kthejmë diasporën dhe t’i mbajmë të rinjtë!
Është koha që angazhimi i diasporës të mos mbetet vetëm në deklarata, por të shndërrohet në veprime të prekshme. Diaspora shqiptare duhet të marrë pjesë aktive në jetën politike të vendeve ku jeton, duke u bërë pjesë e partive dhe administratës lokale, por edhe të angazhohet direkt dhe të japë kontributin edhe në politikbërjen e vendeve nga vijnë.
Rinia po ik viteve të fundit, kryesisht për arsye ekonomike, por edhe për arsye të mungesës së sundimit të ligjit, të zhvillimit demografik dhe të politikave arsimore, shëndetësore dhe kulturore, andaj politikanët shqiptarë duhet të gjejnë zgjidhje dhe ta ndalojnë këtë ikje të trurit më të mirë shqiptarë.

Fatkeqësisht po largohen të rinjët më të suksesshëm, studentët më të mirë, njerëzit që kanë performancat më të mira dhe kjo është humbje shumë e madhe për shoqëritë dhe shtetet. Është e domosdoshme të fokusohemi urgjentisht në ndërtimin e politikave që do të ndalojnë këtë largim të pamëshirshëm.
Politikanët duhet të ndërtojnë shtetin e së drejtës, ku sundon ligji dhe ku avancimet bëhen me meritë.
Për një Samit të suksesshëm, duhet që organizimi i radhës të jetë i përbashkët midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por duke i marrë parasysh edhe rekomandimet nga shqiptarët në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës. Çdo bashkim sjell fuqi dhe sukses, çdo përçarje, dhe çdo fasadë politike do t’ia zbeh shkëlqimin këtij bashkimi të shqiptarëve në Tiranë, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër