Shkup, 16 prill, Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut përkundër mungesës së politikave të mjaftueshme e të nevojshme mbështetëse për studentët, autoritetet janë vënë në një sulm edhe ndaj xhepit dhe djersës së tyre edhe përgjatë kohës së studimeve dhe ende pa u futur krejtësisht në tregun e punës.
Studentët të cilët kanë mundësi që gjatë studimeve të gjejnë ndonjë vend pune sezonale jashtë vendit, përpos presioneve sociale përgjatë kohës së studimeve,atyre tash autoritetet po ua shtojnë edhe presionin tatimor, shkruan Zhurnal.mk.
Tatimi për punën jashtë vendit
Dje, para Drejtorisë të të Ardhurave Publike (DAP), u mbajt një protestë në tëcilën pjesë disa studentë të cilët kanë punuar jashtë vendit përmes Work&Travel, si dhe dhjetëra ish-punonjës në Afganistan dhe Irak, shkruan Zhurnal.mk
Protesta u mbajtë pasi që Drejtoria e të Ardhurave Publike i ka njoftuar ata se do t’i tatimojë të ardhurat e studentëve të realizuara përmes programit “Work & Travel”.
Studentët të cilët kanë qenë pjesë e programit në Gjermani thonë se kanë marrë njoftim nga DAP për obligimin që të deklarojnë të ardhurat e fituara jashtë vendit, edhe pse ka marrëveshje për tatim të dyfishtë midis dy vendeve. Bazuar në marrëveshje, tatimi i paguar në Gjermani nuk duhet të tatohet përsëri te ne.
Megjithatë, një pjesë e studentëve thonë se nga DAP u është thënë se institucioni do të bëjë përllogaritjen e të ardhurave totale, në bazë të tatimit të kthyer, pas çka do të ketë tatim shtesë prej 10%.
E për këtë çështje është prononcuar edhe ministresha e Arsimit, Vesna Janevska, e cila thotë se paratë e fituara duhet të tatohen, por nuk duhet të tatohen dy herë.
“Nuk jam eksperte në këtë fushë, por sigurisht çdo fitim tatohet kudo, prandaj supozoj edhe në vendin tonë, sa kam dijeni unë, tatimi i dyfishtë nuk është i dëshirueshëm dhe nuk duhet të ekzistojë”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit për Alsat.
Nga ana tjetër nga DAP thonë se tatimi i të ardhurave të fituara jashtë vendit nuk është një detyrim i ri, por zbatim i ligjit ekzistues që ka qenë në fuqi prej vitesh.
Me këtë qasje a po “kidnapohet” mundi i studentëve?
Nëse tatimi i dyfishtë zbatohet, studentët do të ndihen të penalizuar për përpjekjet e tyre për të fituar përvojë dhe të ardhura jashtë vendit. Kjo mund të dekurajojë pjesëmarrjen në programe ndërkombëtare dhe të krijojë perceptimin se shteti nuk mbështet avancimin dhe ngritjen e të rinjve.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, puna praktike e studentëve shpesh nuk paguhet ose paguhet simbolikisht nga kompani private sa për t’i mbuluar shpenzimet. Kjo situatë natyrisht që i detyron të rinjtë të kërkojnë mundësi pune jashtë vendit për të siguruar të ardhura që për t’ia dalë me shpenzimet e larta financiare.
Puna jashtë vendit shpesh është e lodhshme, e shoqëruar me sakrifica personale dhe sociale. Për shumë studentë, kjo është një mënyrë për të mbuluar shpenzimet e studimeve dhe jetesës. Megjithatë, kur ky mund i fituar me vështirësi tatohet përsëri, prandaj edhe mund të shihet si një “kidnapim” i mundit të studentëve, duke i vendosur ata në një pozitë të vështirë.
Nëse institucionet e shtetit nuk kanë kapacitet e strategji për t’i mbështetur studentët që gjatë verës të punojnë të fitojnë edhe përvojë praktike edhe të holla, praktikë e aplikuar në vendet evropiane, të paktën mos të vjelin ato pak para që fitojnë me shumë mund. Sepse, kështu me këtë qasje veçse rrisin edhe më shumë dozën e dëshpërimit dhe mungesën e shpresës se mund të ketë të ardhme të mirë brenda këtij vendi. /Zhurnal.mk
