Kryeministri Hristijan Mickoski drejtuar Venko Filipçe: Masat po japin rezultate, inflacioni është i ulët

Nga B.M
495 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Masat që i ndërmori Qeveria e RMV-të për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind për derivatet e naftës, si dhe tani mundësia që Komisioni Rregullator të ulë akcizat edhe për naftën dhe benzinën pa plumb, ka kontribuar që në nivel mujor të kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit – tha sot nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë kryeministri Hristijan Mickoski.

Duke iu përgjigjur deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e krizës, ai tha se masat e ndërmarra nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së kanë sjellë borxhe që ende po shlyhen.

– Masat tuaja nga ajo kohë po i paguajmë edhe sot, ja p.sh. taksa solidare – tashmë e kemi kthyer këstin e parë prej 20 milionë euro, ndërsa tani edhe këstin e dytë prej 20 milionë eurosh. Këto masa i panë qytetarët dhe në disa cikle zgjedhore me radhë dhanë përgjigjen e tyre për masat e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së.

Kryeministri Mickoski theksoi se kur opozita bën krahasime për masat dhe ekonominë, duhet të përdorë parametra reale.

– Qeveria në gjashtë tremujorët e fundit ka gjeneruar një rritje mesatare të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 3,5 për qind. Real dhe nominal mbi 7 për qind. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, në gjashtë tremujorët e parë kishte rritje të BPV-së prej 1,8 për qind, ndërsa nominalisht nën 6 për qind. Nëse i merrni edhe 28 tremujorët, gjatë funksionimit të asaj qeverie rritja ishte nën 2,8 për qind. Pra, diferenca është dy me një. Sa i përket normës së inflacionit, pikërisht masa e uljes së TVSH-së nga 18 në 10 për qind, si dhe mundësia që Komisioni Rregullator të ulë akcizat për naftën dhe benzinën pa plumb, ka kontribuar që në nivel mujor të kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit. Ja disa shembuj: Bullgaria 0,9, ne 0,7, Gjermania 1,2, Irlanda 1,7, Greqia 2, Spanja 1,5, Kroacia 1,2 etj. Vetëm katër shtete në Evropë kanë normë më të ulët mujore të inflacionit: Sllovenia, Belgjika, Estonia dhe Sllovakia. Të gjitha të tjerat kanë normë më të lartë – tha Mickoski, transmeton Zhunal.mk.

Kryeministri shtoi se i vetmi shtet që merr pjesë drejtpërdrejt nga buxheti në këto masa është pikërisht vendi ynë dhe, sipas tij, asnjë shtet tjetër në Evropë nuk vepron në këtë mënyrë, por bën improvizime.

– E përmendët Kroacinë dhe çmimin e naftës atje. Nafta në Maqedoni është rreth 1,5 euro për litër, ndërsa në Kroaci 1,81 euro për litër. Nuk ka parametër apo statistikë që mund ta krahasojë këtë me atë që keni bërë ju. Në fund, qytetarët japin verdiktin në zgjedhje për atë që bën kjo Qeveri dhe për atë që keni bërë ju si Qeveri. Kur bëni krahasime, duhet të kuptoni se i rikujtoni qytetarët për periudhat më të këqija në historinë politike të vendit – periudha të mbushura me krim dhe korrupsion – tha Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër