TIRANË, 31 mars – Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mbajti sot një konferencë me gazetarët që mbulojnë çështjet e arsimit në media për të ndarë disa prej prioriteteve, arritjeve dhe nismave në arsim.
Kumbaro e nisi komunikimin me përditësimin e punës mbi dy kapitujt e arsimit në përmbushjen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Sa i përket i kapitullit 26, pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Konkretisht, është krijuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2025-2030, ku edhe përmes kronikave televizive ju keni pasur një rol shumë të rëndësishëm në dhënien e këtij informacioni. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë (SMIAL), e cila është një bazë të dhënash që përdoret prej korrikut të vitit 2025, që gjurmon aktivitetin studimor online nga notat, te klasifikimet”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se ‘kemi planin e veprimit për arsimin e lartë dhe planin e integritetit. Dhe gjithashtu, kemi miratuar në Qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit”.
Për sa i përket kapitullit 25, ministrja Kumbaro theksoi se jemi në fazën e avancimit të plotë.
“Janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor. Po rrisim gradualisht buxhetin dedikuar kërkimit shkencor. Paketa e akteve nënligjore është mbyllur, i cili ka kaluar në 0,3% të PBD dhe na kërkohet që në vitin 2030 të shkojë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është miratuar plani i veprimit për tabelën evropiane të inovacionit. Kemi ndër të tjera dhe platformën ACRIS, regjistrin e kualifikimeve shkencore”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro informoi se “puna për përmbushjen e kapitujve 25-26 vazhdon sipas kalendarit, si pjesë e grupkapitullit 3 të negociatiave me BE-në”.
