Tiranë, 30 qershor, Zhurnal.mk – Seanca plenare e Kuvendit u ndërpre sot për pesë minuta, pas kërkesës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në vijim të marrjes së informacioneve për aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës.
Duke marrë fjalën në seancë, Balla tha se raportimet paraprake flasin për një aksident me pasoja të rënda, ku dyshohet se ka humbje jete.
“Të gjithë jemi informuar për një aksident të rëndë të ndodhur në autostradë dhe në raportime flitet për jetë të humbura. Do të ishte mirë ta ndërprisnim për pesë minuta seancën, edhe për të marrë më shumë informacion. Besoj që edhe zoti Leskaj dhe të tjerët janë dakord”, u shpreh Balla.
Pas kërkesës së tij, drejtuesi i seancës vendosi ndërprerjen e punimeve për pesë minuta, në pritje të informacioneve zyrtare mbi ngjarjen.
Sipas raportimeve paraprake, një minibus i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në autostradën Tiranë-Durrës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë së Shtetit, ekipet zjarrfikëse dhe autoambulancat, të cilat po punojnë për dhënien e ndihmës së parë të lënduarve dhe nxjerrjen e pasagjerëve nga automjeti.
Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga mediat, dyshohet se si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona, ndërsa autoritetet nuk kanë dalë ende me një bilanc zyrtar mbi ngjarjen.
