Lija po përhapet te delet dhe dhitë: 63 vatra, mbi 7.300 kafshë të asgjësuara

Nga Xh M
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 gusht Zhurnal.mk – Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka publikuar të dhënat më të fundit zyrtare për situatën me sëmundjen e lisë te delet dhe dhitë, duke theksuar rëndësinë e dallimit mes kafshëve që kanë ngordhur nga sëmundja dhe atyre që janë asgjësuar si pjesë e masave për frenimin e përhapjes së saj.

Sipas evidencës zyrtare të AUV-së, deri më tani 196 dele dhe dhi kanë ngordhur nga sëmundja, ndërsa 7.316 kafshë janë eutanizuar ose vrarë në kuadër të masave zyrtare për parandalimin e përhapjes dhe çrrënjosjen e infeksionit.

Aktualisht, sëmundja e lisë te delet dhe dhitë është konfirmuar në 63 vatra, të shpërndara në katër rajone të vendit.

Në kuadër të masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes, deri tani është kryer depopullimi në 53 ferma, ku gjithsej 7.316 dele dhe dhi janë eutanizuar ose vrarë.

Numri më i madh i vatrave është regjistruar në Rajonin Lindor, ku janë evidentuar 50 nga gjithsej 63 vatra, përkatësisht 79.4 për qind e të gjitha rasteve të regjistruara.

Në këtë rajon janë evidentuar 7.216 kafshë të prekshme, prej të cilave 160 kanë rezultuar pozitive ndaj sëmundjes. Sipas të dhënave të AUV-së, 156 kafshë kanë ngordhur, ndërsa 4.815 janë eutanizuar ose vrarë në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së infeksionit.

Ndërkohë, në Rajonin Verilindor janë regjistruar shtatë vatra, në Rajonin e Vardarit pesë, ndërsa në Rajonin e Shkupit është evidentuar një vatër.

Autoritetet veterinare vazhdojnë zbatimin e masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme te tufat e deleve dhe dhive.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër