Tiranë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Menaxhimi i kujdesshëm i financave publike po përkthehet në një profil borxhi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për Shqipërinë, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë përmirësuar ndjeshëm treguesit e riskut të borxhit publik.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se rezultatet e arritura janë pasojë e një politike fiskale të përgjegjshme dhe e një menaxhimi aktiv të portofolit të borxhit, me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e stabilitetit makrofiskal të vendit.
Sipas Malajt, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit është ulur pesha e borxhit afatshkurtër, duke reduktuar nevojat për rifinancim në periudha të shkurtra. Po ashtu, është rritur jetëgjatësia mesatare e borxhit të brendshëm, çka kontribuon në shpërndarjen më të mirë të detyrimeve financiare në kohë dhe zvogëlon ekspozimin ndaj luhatjeve të tregut.
Një tjetër tregues i përmirësuar, sipas ministrit, është reduktimi i peshës së borxhit që maturohet brenda një viti, element që forcon më tej qëndrueshmërinë e financave publike dhe ul rrezikun e rifinancimit.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ka pësuar një rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Nga niveli 73.9% në vitin 2021, borxhi ka zbritur në 64.1% në vitin 2022, në 57.6% në vitin 2023, në 54.2% në vitin 2024 dhe në 52.9% në vitin 2025.
Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së rezulton 49%, ndërsa parashikimi për fundin e vitit është 52.8%, duke shënuar një ulje të qëndrueshme prej 21.1 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2021.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është zgjatja e kohës mesatare të maturimit të borxhit. Sipas Ministrisë së Financave, maturimi mesatar është rritur nga 2.2 vite në vitin 2021 në 3.3 vite në qershor 2026, ose 1.1 vite më shumë. Kjo nënkupton më pak nevojë për rifinancim afatshkurtër dhe një profil më të qëndrueshëm të detyrimeve të shtetit.
Malaj theksoi gjithashtu se borxhi në valutë të huaj vijon të mbetet nën kufijtë e përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, duke kufizuar ekspozimin ndaj rreziqeve që lidhen me luhatjet e kursit të këmbimit.
“Këto rezultate janë fryt i një politike fiskale të përgjegjshme dhe i një menaxhimi aktiv të borxhit, që forcon besimin e tregjeve, ul rreziqet e financimit dhe krijon më shumë hapësirë për të investuar në zhvillimin e vendit, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh ministri i Financave.
Sipas Ministrisë së Financave, përmirësimi i profilit të borxhit publik është pjesë e objektivave të Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, e cila synon të sigurojë financim me kosto sa më të ulët në afat të mesëm dhe të gjatë, duke mbajtur nën kontroll rreziqet fiskale.
Qeveria shqiptare ka ndjekur vitet e fundit një qasje të orientuar drejt zgjatjes së maturimit të borxhit, uljes së peshës së instrumenteve afatshkurtra dhe menaxhimit të kujdesshëm të ekspozimit ndaj valutës, me synim forcimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe krijimin e hapësirave për financimin e investimeve prioritare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

