Masa ndaj drejtueses së SHISH, Xhafaj: Shenjë e forcimit të shtetit të së drejtës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj reagoi sot lidhur me masën e caktuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Në përgjigje të deputetëve të opozitës, Xhafaj theksoi se çdo institucion ka detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Xhafaj tha se institucionet ushtrojnë kompetencat e tyre në përputhje me ligjin.

“Ju folët për institucion, por në fakt çdo institucion ka detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionin e tyre kushtetues dhe ligjor ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi këtë gjë. Ne këtu kemi detyrën tonë si ligjvënës. Institucionet arrestojnë, nuk arrestojnë individët. Institucionet bëjnë detyrën, institucioni përkatës ka bërë detyrën e tij konform ligjit”, tha ai.

Sipas Xhafajt, zhvillime të tilla janë tregues të funksionimit të institucioneve dhe të forcimit të shtetit të së drejtës.

“Kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, shenjë e forcimit të shtetit të së drejtës, shenjë dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve”, tha Xhafaj.

Xhafaj shtoi se situata të tilla janë të zakonshme në demokracitë e konsoliduara, duke iu referuar edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si shembull.

“Ajo që po shohim sot është ajo që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës. Këtë ne e shohim në vendin kampion të demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar, për një shtet të së drejtës”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër