Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Mbi 300 mijë pushime mjekësore janë regjistruar gjatë vitit 2025. Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe problemet gastrointestinale mbeten arsyet më të shpeshta për hapjen e pushimeve mjekësore, raporton TVM2, transmeton Zhurnal.
Të dhënat u bënë të ditura nga ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili për herë të parë prezantoi statistika për pushimet mjekësore afatshkurtra, deri në 30 ditë, dhe ato afatgjata, mbi 30 ditë.
“Dua të theksoj se viti 2021 ishte viti i pandemisë së COVID-19, kur numri i pushimeve mjekësore ishte shumë i lartë. Megjithatë, në vitin 2025 kemi një rritje prej 30 për qind, me mbi 300 mijë pushime mjekësore të regjistruara. Ajo që është e rëndësishme është se nuk është rritur numri i personave që shfrytëzojnë pushime mjekësore, por numri mesatar i pushimeve për çdo pacient. Mesatarja është rritur nga 1.8 në 2.3 pushime mjekësore për pacient. Sëmundjet që vazhdojnë të jenë shkaku më i shpeshtë i pushimeve mjekësore janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe problemet gastrointestinale. Vetëm gjatë vitit të fundit janë regjistruar mbi 10 mijë pushime mjekësore për shkak të gastroenteritit.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ndërkohë, numri i pushimeve mjekësore afatgjata, që zgjasin mbi 30 ditë, mbetet i qëndrueshëm në rreth 25 mijë raste në vit.
“Sa u përket pushimeve mjekësore afatgjata, numri i tyre mbetet i qëndrueshëm në rreth 25 mijë raste në vit gjatë viteve të fundit. Megjithëse nuk ka rritje të numrit të pushimeve, është vërejtur një rritje e ndjeshme e mjeteve të paguara për to. Shuma që paguhet për pushimet mjekësore është rritur disa herë, gjë që, sipas autoriteteve, tregon se është e nevojshme të hapet një debat më i gjerë për këtë çështje.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Autoritetet paralajmërojnë kontrolle më të rrepta për pushimet mjekësore, pasi në pesë vitet e fundit numri i tyre është rritur për 33 %. Sipas tyre, nevojitet rishikim i mënyrës së kontrollit dhe menaxhimit të sistemit të pushimeve mjekësore, i cili nuk ka pësuar ndryshime të mëdha prej 14 vitesh.
