Mickoski dhe Filipçe me qëndrime të kundërta për rrugën evropiane të vendit

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 03 qershor, Zhurnal.mk – “Nuk ka çmim i cili do të na shtynte në aventura pa e ditur se ajo aventurë do të ketë një fund të caktuar!” Me këtë qëndrim kryeministri Hristijan Mickoski do të shkojë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. As pas takimit të djeshëm me presidentin e KE-së Koshta, ai nuk lëshon pe për ndryshimet kushtetuese për të futur bullgarët në Kushtetutë, pa marrë garanci se cili do të jetë rezultati final. Madje nga informacionet që ka marrë pas takimit të ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë me homologen bullgare, Mickoski tha se mendon që në Bullgari në mënyrë dramatike po radikalizohet gjendja dhe ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm që të hyjmë në proces dhe ta çojmë atë deri në fund.

“Përkundrazi, atje punët po radikalizohen në mënyrë dramatike, e arsyeja për këtë është normalisht opozita tek ne, e cila për fat të keq nuk i zgjedh mjete për të rrënuar qëndrimet e Qeverisë kur bëhet fjalë për mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase dhe paraqet pikën e butë për identitetin kombëtar maqedonas. Por edhe këtë do ta përballojmë. Kemi mjaftueshëm fuqi, të fitojmë në shtëpi por edhe jashtë. Jemi të përgatitur, kemi fakte dhe argumente. Do të punojmë. Ky nuk është sprint. Është maratonë. Duhet strategji, plan dhe vizion. Kjo fitohet me mendje, jo duke shpejtuar dhe nën presion”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kreu i opozitares LSDM Venko Filipçe tha se qëndrime e Koshtas ishin të qarta se ndryshimet kushtetuese janë e vetmja rrugë për të vazhduar eurointegrimet. Kjo sipas Filipçes nxjerr në pah të vërtetën se nuk ka garanci shtesë e as kushte shtesë dhe se gjithçka tjetër janë shpikje të pushtetit. Duke kërkuar referendum që qytetaret të vendosin për të ardhmen evropiane te vendit, Filipçe akuzoi se Mickoski dhe VMRO erdhën në pushtet me gënjeshtra dhe ashtu po vazhdojnë.

“Prandaj përdorin patriotizëm të rrejshëm, prandaj kjo çështje e rëndësishme që është para nesh e quajnë “çështje bullgare”, a në fakt bëhet fjalë për kërkesë të çdo vendi anëtar të BE-së. Duhet të futen pakicat, jo vetëm ajo bullgare, por edhe kroate që jeton këtu, e janë përmendur edh epakica të tjera që jetojnë në Maqedoni. Prandaj sforcohet teza se po negociohet me Bullgarinë, e në fakt bisedohet me Bahkimin Euorpian. Ne si parti shteformuese, si parti që kemi sjellë vendime të rënda në histori, kemi thënë me kohë, mbështesim futjen e pakicave në Kushtetutë dhe me këtë të vazhdojë rruga evropiane e vendit”, theksoi Venko Filipçe, kryetar LSDM.

Përndryshe, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dje gjatë vizitës në Shkup theksoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara është kushti i domosdoshëm për vazhdimin formal të negociatave të anëtarësimit dhe zhbllokimin e plotë të procesit integrues.

“Sa i përket procesit, ne kemi miratuar një marrëveshje kornizë dhe kjo është ajo me të cilën duhet të përmbushim obligimet, në mënyrë që të ecim përpara në procesin e anëtarësimit. Asgjë më shumë… dhe asgjë më pak”, pohoi Antonio Kosta, presidenti i Këshillit Evropian.

Kosta po ashtu tha se zgjerimi i BE-së mbetet një qëllim i përbashkët dhe se Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim të rëndësishëm në agjendën reformuese. Gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar progresin në reformat kyçe si sundimi i ligjit dhe administrata publike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër