Mickoski: Jetohet vështirë, por kemi inflacion më të ulët dhe paga në rritje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendit i nevojitet politikë e stabilitetit ekonomik, duke theksuar se, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen qytetarët, inflacioni është më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe pagat po rriten gradualisht.

Duke folur në emisionin “Klik Plus” në TV21, Mickoski tha se gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2026, inflacioni mesatar në vend ishte 2.5%, ndërsa në Bashkimin Evropian arriti në 3.2–3.3%. Sipas tij, në shtator inflacioni në Maqedoninë e Veriut ishte 2.7%, kundrejt 3.8% në BE.

Ai theksoi se këta tregues, sipas Qeverisë, dëshmojnë për një gjendje më të qëndrueshme ekonomike, megjithëse pranoi se mbeten ende shumë probleme për t’u zgjidhur.

Mickoski: Paga mesatare mund të arrijë në 1.000 euro
Duke folur për mundësinë që paga minimale të arrijë në 1.000 euro deri në fund të mandatit, Mickoski u shpreh optimist, duke u bazuar në ritmin e rritjes së pagave gjatë dy viteve të fundit.

Sipas tij, paga mesatare nga rreth 650 euro në fillim të mandatit është rritur në afërsisht 800 euro. Ai tha se pret që deri në fund të vitit paga mesatare të kalojë 50 mijë denarë, ndërsa në vitin 2027 mund të arrijë në 53–54 mijë denarë.

Nëse vazhdon i njëjti ritëm i rritjes, Mickoski vlerësoi se në vitin 2028 paga mesatare mund të arrijë në 57–58 mijë denarë, duke iu afruar nivelit prej 60 mijë denarësh.

Për pagën minimale prej 600 eurosh: Duhet marrëveshje mes punëtorëve dhe punëdhënësve
I pyetur nëse paga minimale prej 600 eurosh paraqet problem për Qeverinë, Mickoski tha se nuk është kundër një rritjeje të tillë, por theksoi se për këtë duhet të ketë marrëveshje mes punëtorëve dhe punëdhënësve.

Duke komentuar shembullin e Malit të Zi, ku janë paralajmëruar paga minimale më të larta sipas nivelit të arsimit, ai tha se rritjet duhet të mbështeten në një formulë të qartë ekonomike dhe jo në premtime që mund të krijojnë paqartësi te komuniteti i biznesit.

“Neve nuk na nevojitet politikë e ekzibicionizmit, por na nevojitet politikë e stabilitetit”, deklaroi Mickoski.

Në fund, kryeministri pranoi se treguesit ekonomikë nuk i zgjidhin të gjitha problemet e qytetarëve, por u shpreh i bindur se standardi i jetesës do të përmirësohet në vitet e ardhshme.

“A do të jetohet më mirë pas tre vitesh sesa sot? Ju garantoj se do të jetohet më mirë”, përfundoi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër