Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Rënia e çmimeve të naftës në tregjet botërore pas lajmeve për arritjen e një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit pritet të reflektohet edhe në tregun vendor të derivateve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se në ditët në vijim çmimet e karburanteve do të mbeten stabile ose do të kenë lëvizje minimale, ndërsa javën e ardhshme pret ulje më të ndjeshme.
Sipas tij, vendimi i radhës i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) do të bazohet në lëvizjet e javës së kaluar, kur ende nuk ishin reflektuar zhvillimet më të fundit në tregjet ndërkombëtare.
“Pres që çmimet të lëvizin në kuadër të gjysmë denari ose të mbeten të njëjta kur bëhet fjalë për dizelin, ndërsa te benzinat mund të ketë rritje prej 1.5 deri në 2 denarë. Javën e ardhshme pres ulje më të madhe, sepse sot çmimet në bursë për naftën dhe derivatet e saj kanë rënë në mënyrë dramatike dhe lëvizin rreth 82-83 dollarë për fuçi”, deklaroi Mickoski.
Lajmet për marrëveshjen mes SHBA-së dhe Iranit shkaktuan rënie të menjëhershme të çmimeve të naftës në bursat botërore. Kontratat e naftës Brent ranë me mbi 4 për qind, duke zbritur në 83.82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u ul me 4.63 për qind, në 80.95 dollarë për fuçi.
Kryeministri theksoi se, pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet ndër vendet me çmimet më të ulëta të benzinës dhe dizelit në rajon.
Sipas pritjeve të tij, nëse trendi i rënies së çmimeve të naftës vazhdon edhe gjatë ditëve të ardhshme, qytetarët mund të ndjejnë efektet pozitive në pompate e karburanteve që nga java e ardhshme.
