Mimoza Musa: 24 muaj punë, investime dhe zhvillim për komunat shqiptare

Nga Xh M
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 qershor Zhurnal.mk – Nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, deklaroi se gjatë 24 muajve të qeverisjes, VLEN ka dëshmuar se pushtetin e sheh si përgjegjësi dhe jo si privilegj, duke theksuar se rezultatet konkrete janë matësi i vetëm i punës së koalicionit. Duke folur në shënimin e dyvjetorit të qeverisjes së VLEN-it nën moton “Transparencë dhe llogaridhënie”, ajo tha se ndryshimi ndërtohet përmes vendimeve dhe investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Ka një dallim të madh mes atyre që e shohin pushtetin si privilegj dhe atyre që e shohin si përgjegjësi. VLEN zgjodhi përgjegjësinë. Zgjodhi të matet me rezultate, sepse vetëm rezultatet mbeten. Në këto 24 muaj, VLEN ka dëshmuar se ndryshimi nuk ndërtohet me retorikë, por me vendime që prodhojnë zhvillim, me investime që krijojnë mundësi dhe me projekte që prekin jetën e qytetarëve,” u shpreh Musa.

Ajo theksoi se falë angazhimit të VLEN-it në qeveri, aktualisht po realizohen 306 projekte në komunat shqiptare, duke e cilësuar këtë si një qasje të re ndaj zhvillimit të barabartë. Sipas saj, qeveria po krijon kushte më të mira edhe për zhvillimin ekonomik, përmes Planit Operativ për Punësim, i cili do të mundësojë hapjen e mbi 2.500 bizneseve të reja.

“Për vite me radhë, komunat shqiptare prisnin investime dhe trajtim të barabartë. Sot, falë angazhimit të VLEN-it në qeveri, 306 projekte po transformojnë komunat shqiptare. Ky nuk është vetëm një numër. Është një filozofi e re e qeverisjes: zhvillimi duhet të arrijë kudo, jo vetëm aty ku e dikton interesi politik,” tha ajo.

Në fjalimin e saj, Musa përmendi edhe projektet strategjike infrastrukturore, si autostradën Shkup–Bllacë dhe Korridorin 8, funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në disa pika kufitare, si dhe investimet në shëndetësi dhe zhvillimin urban, përfshirë rikonstruksionin e Spitalit të Tetovës dhe fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”.

“VLEN nuk kërkon të gjykohet nga premtimet. VLEN kërkon të gjykohet nga puna e bërë. Për VLEN-in, politika nuk matet me premtime. Matet me projekte, investime dhe zhvillim që qytetarët i shohin, i prekin dhe i jetojnë çdo ditë. Ky është standardi ynë. Ky është angazhimi ynë. Dhe ky është drejtimi nga i cili nuk do të largohemi,” përfundoi Musa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër