Minçev në takim me ministren serbe Paunoviq: Grupi i përbashkët i punës tashmë shënon përparim të rëndësishëm

Nga I.A
980 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Administratës Publike, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot realizoi takim bilateral me ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Në takim u konfirmua interesi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë.

„Grupi i përbashkët i punës, i formuar për koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve nga Memorandumi, po punon aktivisht dhe shënon përparim të rëndësishëm në disa fusha me interes të ndërsjellë. Rezultatet e arritura deri më tani paraqesin bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit“, theksoi ministri Minçev.

Vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të sistemit të trajnimeve dhe ndërtimit të një administrate profesionale, efikase dhe moderne. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e përvojave dhe praktikave të mira të Akademisë Kombëtare për Administratë Publike të Republikës së Serbisë, e cila përfaqëson shembull të njohur në rajon për qasje sistematike ndaj zhvillimit të vazhdueshëm profesional të nëpunësve publikë.

Në fokusin e bisedimeve ishte edhe transformimi digjital i procesit të mësimit dhe trajnimit. U shqyrtua përparimi në shkëmbimin e përvojave lidhur me sistemet për menaxhimin e mësimit (LMS), zhvillimin e moduleve elektronike dhe futjen e zgjidhjeve moderne digjitale që do të sigurojnë më shumë qasje, efikasitet dhe cilësi të trajnimeve në sektorin publik.

Takimi edhe një herë konfirmoi përkushtimin e të dy ministrive për bashkëpunim praktik dhe frytdhënës, i cili përmes aktiviteteve konkrete kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër