Shkup, 25 qershor Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në paraqitjen e tij në emisionin “Vetëm intervistë” në televizionin Kanal 5, deklaroi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit evropian, por theksoi se procesi i zgjerimit duhet të jetë kredibil, i parashikueshëm dhe i bazuar në kritere objektive, e jo në kushte bilaterale.
Duke folur për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Mucunski theksoi se realiteti objektiv është që vendi për çështjen e hapjes së negociatave nuk ka qëndruar në vend katër, por pesëmbëdhjetë vite, duke rikujtuar se Komisioni Evropian që në vitin 2011 kishte vlerësuar se vendi i plotëson kushtet për fillimin e negociatave të anëtarësimit.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm t’i fillojmë negociatat, por ato të jenë të suksesshme dhe brenda një afati të arsyeshëm të përfundojnë me anëtarësim të plotë. Prandaj jemi të detyruar të parandalojmë krijimin e pengesave të reja dhe kushteve të reja bilaterale që në fillim të procesit”, u shpreh Mucunski.
Ai theksoi se hapja e negociatave nuk varet vetëm nga ndryshimet kushtetuese, por edhe nga përmbushja e të gjitha parakushteve, përfshirë miratimin e Planit të Veprimit për pakicat, duke vlerësuar se në opinion shpesh krijohet perceptimi i gabuar se bëhet fjalë vetëm për një çështje.
Sa i përket përfitimeve ekonomike, ministri theksoi se vendet që tashmë janë në negociata me Bashkimin Evropian aktualisht nuk kanë qasje në fonde shtesë evropiane në krahasim me vendet që ende nuk i kanë nisur negociatat. Sipas tij, Plani i Rritjes është i disponueshëm për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa çështja kryesore nuk është statusi formal i negociatave, por kapaciteti dhe suksesi në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve të disponueshme.
Duke u ndalur te procesi reformues, Mucunski tha se Qeveria gjatë periudhës së fundit e ka rritur ndjeshëm dinamikën e zbatimit të reformave të lidhura me integrimin evropian, veçanërisht përmes përmbushjes së detyrimeve nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
Ai vlerësoi se asnjë shtet nuk mund të pretendojë se procesi reformues ka përfunduar, por se raportet e institucioneve evropiane tregojnë për progres në disa fusha kyçe, përfshirë reformën e administratës publike, sundimin e ligjit, energjetikën dhe arsimin.
“Fondet që shteti i merr përmes Planit të Rritjes janë dëshmia më e mirë se reformat po njihen. Ato fonde kushtëzohen me përmbushjen e hapave konkretë reformues dhe nuk do të ishin vënë në dispozicion nëse këto rezultate do të mungonin”, theksoi Mucunski.
