Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, e thirri dje ambasadorin bullgar në Maqedoni, Jelasco Radukov, për t’i shprehur shqetësim serioz pas publikimit të notës diplomatike lidhur me vizitën e bashkëshortes dhe djalit të kryeministrit Hristijan Mickoski në Bullgari, ku u zbuluan edhe të dhëna personale.
„Po të më ndodhte mua, do të kërkoja falje“, deklaroi sot Mucunski në konferencën për shtyp, duke dhënë llogari për dyvjeçarin si ministër i diplomacisë. Sipas tij, ky është një mënyrë e papranueshme e funksionimit mes dy shteteve, duke theksuar se edhe në vende që janë në luftë nuk ndodhin gjëra të tilla.
„Bëhet fjalë për lëvizje të anëtarëve të familjes së përfaqësuesve të lartë të huaj. Asnjëherë një dokument i tillë nuk ka dalë publikisht nga ne. Mund të ndodhë, por unë i pari do të kërkoja falje“, tha Mucunski, duke theksuar se problem i veçantë është publikimi i të dhënave personale.
Ai njoftoi se e ka thirrur ambasadorin Radukov dhe ka kërkuar shpjegim për mënyrën se si ka ardhur deri te publikimi i notës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
„Shprehëm nivel të lartë pakënaqësie për këtë gjest“, tha ministri, duke shtuar se ekziston një rrjet i organizuar, veçanërisht në hapësirën online nga Bullgaria, aktivitetet e të cilit lidhen me kontestin që ka me Maqedoninë dhe se gjithnjë e më shumë po merren me familjet e tyre.
„Sigurisht keni lexuar se gjyshi im ka qenë ushtar bullgar. Gjyshi im ka vdekur në vitin 1997. Le të sulmojnë lirshëm ato portale që shpërndajnë lajme të rreme, por të paktën të lënë të qetë familjet tona“, tha Mucunski.
Ai shtoi se për ngjarjen kanë informuar një numër të madh përfaqësuesish të BE-së dhe NATO-s, pasi bëhet fjalë për një precedent të paparë dhe shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen dhe komunikimin diplomatik.
Në të njëjtën konferencë për shtyp, Mucunski tha se çdo formë vandalizmi nga ana jonë është e dëmshme dhe e dënon, duke iu referuar akuzave nga Sofja për djegien e makinave para ambasadës bullgare, për të cilën, siç theksoi, pushteti menjëherë ka dalë me dënim dhe ka vepruar.
Duke folur për Planin e Veprimit për mbrojtjen e pakicave, të cilin e kërkon BE-ja në kuadër të negociatave dhe që vetëm Bullgaria e ka refuzuar në Bruksel, Mucunski tha se bëhet fjalë për dokument me karakter ekspertësh, i hartuar nga ekspertë vendorë dhe të deleguar nga Këshilli i Evropës, dhe se nuk sheh pengesë thelbësore, as që Sofja ka njoftuar për një të tillë. Sipas tij, duket se bëhet fjalë për interpretim të ndryshëm të detyrimeve evropiane të Maqedonisë dhe se duhet gjetur mekanizëm për ta sqaruar.
Megjithatë, ai vlerësoi se dialogu me Sofjen muajin e fundit ka marrë dinamikë të shtuar, se kjo është pozitive dhe se kanë qenë të dobishme takimet mes tij dhe ministres bullgare të jashtme, të presidentes Gordana Siljanovska Davkova me Ilijana Jotova, si dhe të kryetarit të Parlamentit në Sofje, por se interpretimi në Bullgari është se ndryshimet kushtetuese dhe Plani i Veprimit nuk janë kushtet e vetme për Maqedoninë drejt BE-së.
Sipas tij, tani po ecim në një rrugë drejt BE-së që është e paparashikueshme dhe se kjo është „rrugë në të cilën kjo qeveri nuk do të ecë“. Ai tha se po bëhen përpjekje maksimale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe dinjitoze, sepse qytetarët i kanë zgjedhur për këtë.
Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se është përcaktuar kandidat për ambasador të ri të Maqedonisë në Sofje dhe se është nga radhët e kuadrit profesional të MPJ-së. Në përgjithësi, ai tha se aktualisht janë të zbrazëta 16 ambasada, duke përfshirë edhe 12 për të cilat ka nisur procedura për dërgimin e ambasadorëve. Në kuadër të raportit për punën, ai njoftoi se ka realizuar 110 vizita pune dhe mbi 400 takime, ndërsa kemi qenë mikpritës të 40 liderëve botërorë – duke i përfshirë këtu edhe aktivitetet e presidentes së shtetit dhe të kryeministrit.
