Tiranë, 29 tetor Zhurnal.mk – Akademik Luan Omari, një prej emrave të rëndësishëm të shkencës dhe mendimit juridik shqiptar, është ndarë nga jeta më 29 tetor 2026, në moshën 101-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila vlerëson kontributin e tij shumëvjeçar në zhvillimin e shkencave juridike, arsimit të lartë dhe mendimit kushtetues në vend.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Luan Omari kreu studimet për drejtësi në Beograd dhe Sofje. Gjatë karrierës së tij akademike, ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës.
Omari ishte një nga anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku mbajti edhe detyrat e sekretarit shkencor dhe zëvendëskryetarit. Ai përfaqësoi gjithashtu Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës dhe kontribuoi në diskutimet mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.
Përmes dhjetëra studimeve dhe monografive, akademiku dha një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e historisë së së drejtës, sistemit juridik shqiptar dhe zhvillimit kushtetues të vendit. Pas viteve ’90, ai u përfshi në proceset dhe debatet që shoqëruan hartimin e Kushtetutës dhe legjislacionit kushtetues të Shqipërisë.
Për veprimtarinë e tij, në vitin 2016 Akademia e Shkencave i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike, ndërsa në vitin 2020 u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij, duke vlerësuar trashëgiminë që akademik Omari lë pas në shkencën dhe jurisprudencën shqiptare.
Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në orën 10:00 do të mbahet akademia solemne në sallën “Aleks Buda”, ndërsa nga ora 11:00 deri në 13:00 do të zhvillohen homazhet. Në orën 13:00, kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirës.
