Shkup, 16 shtator Zhurnal.mk – Mënyra e publikimit të rezultateve dhe transparenca e procesit të renditjes së studentëve për vendet në konviktet studentore janë sërish në qendër të përplasjeve politike, sa i përket kritereve mbi të cilat është bërë përzgjedhja. Partia E Majta reagon se MASh-i ka publikuar rezultatet e konkursit pa lista të plota me pikët e kandidatëve. Sipas kësaj partie, kjo krijon mundësi për veprime subjektive gjatë ndarjes së vendeve, ndërsa kërkojnë sqarim se si studentët mund të ankohen ndaj renditjes pa pasur qasje në pikët e tyre.
“Pikët janë pjesë thelbësore e procesit të renditjes dhe mospublikimi i tyre nuk është çështje e vullnetit të mirë, por e detyrimeve që Ministria duhet t’i respektojë. Kërkojmë që MASh-i menjëherë të publikojë listat e plota të renditjes me pikët e fituara nga të gjithë kandidatët, sipas konvikteve studentore dhe kategorive, me kufirin e përcaktuar qartë për pranimin. Gjithashtu, kërkojmë të publikohen numri i kandidatëve të paraqitur, studentëve të pranuar dhe atyre të refuzuar.”, thuhet në komunikatën e partisë E Majta.
Por, ndryshe mendon ministrja e Arsimit dhe Shkencës. Janevska hedh poshtë këto akuza, duke i quajtur dezinformata, dhe thotë se listat e renditjes janë publikuar në mënyrë transparente, ndërsa kriteret për pranimin në konvikte janë të përcaktuara qartë.
“Absolutisht pohoj se listat e renditjes së studentëve të pranuar janë publikuar, ndërsa është publikuar edhe lista e studentëve të papranuar, me shpjegimin se përse nuk janë pranuar. Në pyetjen time se çfarë po ndodh lidhur me spekulimet e ndryshme, sektori u përgjigj se po, ka studentë që studiojnë për të shtatin ose të tetin vit radhazi, ka studentë prindërit e të cilëve kanë të ardhura jashtëzakonisht të larta dhe të gjithë ata refuzohen. Sidoqoftë, kriteret janë publikuar dhe janë të qasshme për të gjithë në konkurs. Studentët e dinë mirë se kush mund dhe kush i plotëson kushtet për t’u sistemuar, e kush jo.”, – deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Të gjitha këto Janevska i tha gjatë përurimit të sallës së sportit të rikonstruktuar në shkollën fillore “Panajot Gjinovski” në Butel të Shkupit, investim i mbështetur financiarisht nga BE-ja, i cili përfshin rikonstruksionin e 30 sallave të sportit dhe ndërtimin e 30 sallave të tjera sportive. Me këtë rast, Janevska hodhi poshtë edhe spekulimet se në sistemin arsimor nuk ka mjaftueshëm asistentë të angazhuar. Sipas Janevskës, në shkollat fillore janë angazhuar rreth 1.348 asistentë, ndërsa në shkollat e mesme rreth 166. Ndërkohë, thirrja publike për angazhimin e asistentëve të rinj skadon të enjten, tha Janevska, duke theksuar se të gjithë nxënësit duhet të përfshihen në procesin edukativo-arsimor.
