Ndërroi jetë Dr.Ferit Vojnika, gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni dhe ikona e mjekësisë dibrane

Nga D. V.
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Ka ndërruar jetë sot në moshë të shtyrë Dr. Ferit Vojnika, një nga figurat më të shquara të mjekësisë dhe intelektual i përmasave kombëtare, i njohur historikisht si gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni.

Lajmi ka prekur thellë mbarë opinionin publik, veçanërisht komunitetin dibran, të cilit Dr. Vojnika i kushtoi tërë jetën dhe karrierën e tij profesionale, përcjell INA.

Dr. Ferit Vojnika la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme humane dhe profesionale. Në një kohë kur mjekësia shqiptare në këto treva po bënte hapat e parë, ai kreu studimet dhe specializimet e vështira në Shkup e Beograd, ndërsa shërbeu për një periudhë edhe në Gjakovë, për t’u rikthyer më pas përfundimisht në vendlindjen e tij, në Dibër të Madhe.

Për dekada me radhë, në kushte jashtëzakonisht të vështira të një spitali periferik dhe pa mjetet e teknologjisë moderne, Dr. Vojnika kreu mijëra ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale që asokohe guxohej të realizoheshin vetëm nëpër klinika të mëdha universitare. Nën duart e tij humaniste erdhën në jetë breza të tërë dibranësh, duke regjistruar një karrierë të artë e të pastër, pa asnjë rast fatal.
Përveç kontributit të papërsëritshëm në shëndetësi, Dr. Ferit Vojnika ishte edhe një kronikan dhe ruajtës i memories historike të qytetit. Përmes librit të tij të njohur “Dibra nëpër urat e kohës”, ai dokumentoi me vërtetësi rrugëtimin e vështirë të intelektualëve dibranë dhe jetën e qytetit në epokën e pas-Luftës së Dytë Botërore.
Me ndarjen e tij nga jeta, Dibra dhe mbarë shqiptaria humbën një kolos të mjekësisë, një misionar të shëndetit dhe një model të pashoq të urtësisë e patriotizmit.(INA)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër