Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kush është kundër votimit elektronik të diasporës?

Nga I.A
2,753 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 qershor, Zhurnal.mk –  – Sa herë që hapet debati për reformën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, vëmendja përqendrohet te ndarja e njësive, kalkulimet partiake dhe çështjet etnike. Diaspora duhet të votojë apo jo nuk duhet të jetë debati, por si të votojë. Në propozim ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor është paraparë që diaspora të ketë mundësi të votojë në mënyrë elektronike. Por, kundër këtij propozimi kategorikisht janë kundër LSDM dhe Levica, shkruan Zhurnal.

Ndryshime në Kodin Zgjedhor, votim elektronik për diasporën dhe ndalim i promovimit partiak përmes profileve zyrtare?

Propozim‑ndryshimet parashikojnë që diaspora të votojë në mënyrë elektronike, që për listat e pavarura të kërkohen nënshkrime në masën 0,8 për qind të votuesve të regjistruar, që funksionarët të mos mund të promovohen përmes profileve zyrtare në rrjetet sociale dhe që partitë më të vogla, të cilat kanë grup parlamentar, të mund të marrin mjete nga buxheti për reklamim politik.

Ndryshimet e shumëpritura të Kodit Zgjedhor, pjesë e Agjendës së Reformave të BE‑së, për të cilat partitë politike nuk arritën marrëveshje për një periudhë të gjatë, pritet tani të hyjnë në procedurë parlamentare, por pa mbështetjen e opozitës Lidhjes Social‑Demokrate të Maqedonisë (LSDM). Sipas TV 24, e cila pretendon se ka siguruar kopjen e dokumentit, propozim‑ndryshimet parashikojnë votim elektronik në përfaqësitë diplomatike‑konsullore, nënshkrime 0,8 për qind të votuesve të regjistruar për listat e pavarura, ndalim të promovimit të funksionarëve përmes profileve zyrtare në rrjetet sociale dhe mundësi që partitë më të vogla me grup parlamentar të marrin mjete buxhetore për reklamim politik.

Supozohet se ndryshimet synojnë të mbyllin pjesë të vakumit juridik, të rrisin efikasitetin e procesit zgjedhor dhe të sigurojnë zgjedhje më transparente. Për momentin, ideja për një njësi të vetme zgjedhore nuk është pjesë e zgjidhjeve të propozuara. LSDM vendosi të mos marrë pjesë në punën e Grupit të Punës pasi kryeministri dhe partitë në pushtet paralajmëruan se do ta shfuqizojnë qeverinë teknike të modelit të Przhinos, e cila parashikon që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare kontrolli mbi dikasteret kyçe t’i kalojë opozitës.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme, sipas TV 24, lidhet me votimin e qytetarëve që janë në punë apo qëndrim të përkohshëm jashtë vendit. Me zgjidhjen e propozuar, votimi në përfaqësitë diplomatike‑konsullore do të zëvendësohej me votim elektronik nga jashtë.

Në nenin e propozuar thuhet se “votimi elektronik nga jashtë” është mënyrë e ushtrimit të së drejtës së votës në zgjedhjet për President të Republikës dhe për deputetë në Kuvend, përmes një sistemi elektronik të sigurt të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votues që janë në punë apo qëndrim të përkohshëm jashtë vendit dhe që paraprakisht janë paraqitur për këtë mënyrë votimi. Në këtë mënyrë, qindra mijëra emigrantë që nuk janë paraqitur si të shpërngulur dhe ende figurojnë si rezidentë në Maqedoni, do të mund të votojnë elektronikisht dhe të ndikojnë në rezultatin zgjedhor.

Kush është kundër votimit elektronik të diasporës?

Kryetari i LSDM‑së, Venko Filipçe, deklaroi se partia e tij do ta bllokojë Kodin Zgjedhor të propozuar, duke theksuar se zgjidhjet veçanërisht votimi elektronik për diasporën nuk i plotësojnë standardet demokratike dhe lënë hapësirë për keqpërdorime në procesin zgjedhor.

Sipas Filipçes, modeli i propozuar për votim elektronik nuk parashikon mekanizma të mjaftueshëm për verifikimin e identitetit të votuesve dhe, siç tha ai, krijon rrezik për votim të pakontrolluar dhe manipulime të mundshme zgjedhore.

“Fillimisht propozohet votim elektronik për diasporën. Kjo do të thotë pa asnjë verifikim të njerëzve për të cilët nuk e dimë ku janë, ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, kush do t’ua verifikojë identitetin. Thjesht, para kompjuterit do të mund të votojnë dhe ai votim do të ketë të njëjtën peshë si votimi në vend. Kjo hap rrezik për votim masiv dhe të pakontrolluar, njësoj siç ndodhte gjatë qeverive të Nikolla Gruevskit. Është një sistem shumë i rrezikshëm, që hap derë për manipulim zgjedhor dhe vjedhje nga kjo qeveri”, deklaroi Filipçe në konferencën për shtyp të LSDM‑së.

Diaspora është në themelet e shtetndërtimit  –

E drejta e votës nuk është privilegj territorial është e drejtë qytetare. Në një epokë ku kufijtë fizikë janë zbehur dhe lidhjet me vendlindjen janë më të forta se kurrë, përjashtimi praktik i diasporës nga votimi është regres demokratik dhe padrejtësi politike.

Diaspora jonë nuk është më ajo e viteve ’70–’90 që vinte një herë në vit me valixhe dhuratash dhe mall. Sot ata janë pjesë aktive e jetës ekonomike, sociale dhe familjare. Ata vijnë disa herë në vit, investojnë, ndërtojnë shtëpi, hapin biznese, mbajnë familjet gjallë financiarisht. Janë të lidhur me çdo zhvillim politik këtu por nuk kanë zë në vendimmarrje.

Nëse diaspora është mjaftueshëm e rëndësishme për të shpëtuar ekonominë me miliona euro çdo vit, atëherë është mjaftueshëm e rëndësishme edhe për të vendosur për drejtimin politik të vendit. Mënyra më e lehtë për ta mbajtur larg një elektorat që nuk kontrollohet lehtë, që nuk ndikohet nga presioni lokal dhe që voton më lirshëm është përmes kësaj forme kur ia mohon të drejtën për të votuar.

Prandaj reforma zgjedhore pa përfshirjen reale të diasporës është reformë e mangët dhe e padrejtë. Një shtet që i numëron eurot e diasporës por jo votat e saj nuk ka të ardhme të sigurt. Duhet qasje sa më gjithpërfshirëse e assesi përjashtuese. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër