Shkup, 1 qershor Zhurnal.mk – Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Çair u shpalos një mural kushtuar figurës së Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar.
Aktiviteti u organizua në kuadër të festimeve për 1 Qershorin dhe u shoqërua me një program artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës. Përmes performancave dhe aktiviteteve kreative, fëmijët shënuan këtë ditë të veçantë në një atmosferë festive dhe edukative.
Lajmin për përurimin e muralit e bëri të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së vlerave kombëtare te brezat e rinj.
Sipas tij, murali i ri paraqet figurën e Ismail Qemalit përballë gjeneratave të reja, duke kujtuar rolin e tij në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në historinë kombëtare shqiptare.
“Oborri i shkollës u shndërrua në një hapësirë ku kreativiteti i fëmijëve u takua me figurat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë. Energjia e fëmijëve i dha këtij përurimi kuptimin më të rëndësishëm – lidhjen mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes”, theksoi Mexhiti.
Murali pritet të mbetet një simbol edukativ dhe kulturor për nxënësit e shkollës, duke i afruar ata më shumë me historinë dhe personalitetet që kanë kontribuar në formësimin e identitetit kombëtar.
