“Në kërkim” nga socialistët, reagon deputetja e Shkodrës pas njoftimit të largimit nga PS dhe fikjes së telefonit

Nga D V
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 qershor, Zhurnal.mk – 22 orë pas njoftimit se largohet nga Partia Socialiste dhe del si deputete e pavarur, ka reaguar sërish Marjana Koçeku. Ajo ka postuar një foto të një flamingoje në Instagram dhe Facebook, duke lënë të kuptohet se arsyeja e largimit janë protestat dhe se këtyre të fundit u ‘bashkohet’.

Ndërkohë, deputetët socialistë u vunë “në kërkim” të koleges, e cila mbrëmjen e të dielës njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS për të vijuar rrugëtimin parlamentar si e pavarur.

Disa prej deputetëve të PS-së i thanë Top Channel se kanë tentuar të lidhen met kolegen e tyre, por telefoni i saj është i fikur.

Ndërsa disa të tjerë, me humor, thanë se Marjana Koçekut i është hakeruar llogaria në Facebook, nga ku ajo në gegënisht shkruante se: “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”.

Mësohet se këtë vendim Marjana Koçeku nuk ia ka komunikuar deri më tani zyrtarisht kryetarit të Grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili në mbledhjen e grupit paraditen e kësaj të hëne citohet të ketë thënë se “për këtë çështje do të flasim në një moment të dytë”.

Ky vendim i befasishëm i deputetes së qarkut të Shkodrës ka prodhuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, mes tyre edhe ato që i kërkojnë t’ia kthejë mandatin PS-së, forcës politike e cila e promovoi deri në fitimin e mandatit.

Marjana Koçeku, e njohur si Neomalësorja, ishte një prej prurjeve të reja në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Vetë Edi Rama, me bekimin e Benet Becit, drejtues i atëhershëm politik i qarkut Shkodër, e vendosën zonjën Koçeku në krye të listës të mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës.

Zonja Koçeku u bë e njohur për udhëheqjen e një biznesi familjar ku përfshihej një bujtinë dhe mbarështimi i dhive, i kthyer në një atraksion për qindra vizitorë të huaj./Top Channel

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër