Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – Në aktivitetin e organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, është vërejtur edhe prania e deputetit Ilir Demiri.
Demiri mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga BDI, ku ishin të pranishëm përfaqësues politikë, funksionarë, ish-zyrtarë dhe mysafirë të tjerë që përkujtuan rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit.
Prania e tij në këtë aktivitet ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të angazhimeve të tij të mëparshme politike. Demiri ka qenë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa më pas iu bashkua koalicionit VLEN. Megjithatë, në aktivitetin e sotëm ai u pa mes pjesëmarrësve në organizimin e BDI-së kushtuar përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Deri më tani nuk ka ndonjë deklaratë publike nga Demiri lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet apo nëse kjo prani lidhet me ndonjë angazhim të ri politik.
Aktiviteti i organizuar nga BDI u zhvillua në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila konsiderohet si një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë e Maqedonisë së Veriut, duke vendosur themelet për avancimin e të drejtave të komuniteteve dhe forcimin e karakterit multietnik të shtetit.
