Zjarri në Halkidiki/ MPJ: Ndiqni me kujdes udhëzimet e autoriteteve

Nga Xh M
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Selanik, 13 gusht Zhurnal.mk – Zjarri që sot shpërtheu në Halkidiki shkaktoi evakuimin e turistëve dhe banorëve nga zonat e prekura, ndërsa në mesin e personave që kërkuan informacione dhe ndihmë janë edhe shtetas maqedonas.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informojnë se në përfaqësinë diplomatike-konsullore në Selanik, përmes telefonit, janë drejtuar shtetas maqedonas që ndodhen në zonat e prekura. Qytetarëve u janë përcjellë udhëzimet dhe rekomandimet e lëshuara nga autoritetet kompetente greke.

Megjithatë, deri tani nuk ka informacion zyrtar se sa shtetas maqedonas janë evakuuar nga zonat e përfshira nga zjarri. Nga Ministria thonë se ende nuk kanë marrë të dhëna nga institucionet greke për numrin e qytetarëve maqedonas të evakuuar.

Mbi 300 persona u evakuuan nga deti

Zjarri goditi veçanërisht zonën turistike Siviri, në Kassandra, ku flakët iu afruan shtëpive dhe objekteve turistike. Për shkak të rrezikut, një pjesë e turistëve dhe banorëve u evakuuan si në rrugë tokësore, ashtu edhe përmes detit.

Sipas informacioneve të Reuters, më shumë se 300 persona u evakuuan me varka nga Siviri. Në operacion morën pjesë Roja Bregdetare greke, varka zjarrfikëse dhe patrulluese, si dhe mjete private lundruese.

Në terren u angazhuan më shumë se 140 zjarrfikës, me nëntë avionë dhe shtatë helikopterë. Erërat e forta e vështirësuan edhe më shumë shuarjen e zjarrit dhe kontribuuan në përhapjen e shpejtë të flakëve. Një zjarrfikës është lënduar.

MPJ: Ndiqni me kujdes udhëzimet e autoriteteve

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se përmes përfaqësisë diplomatike-konsullore në Selanik po e ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.

Ministria u bën apel shtetasve maqedonas që aktualisht ndodhen në zonat e prekura të Halkidikit që ta ndjekin situatën dhe t’i respektojnë në mënyrë të plotë udhëzimet e autoriteteve lokale.

Për informacione shtesë dhe ndihmë urgjente, Ministria ka publikuar numrat e telefonit të kujdestarisë së Ministrisë dhe numrat e Konsullatës në Selanik: +389 75 268 736, +30 694 526 8068 dhe +389 71 323 001.

Për momentin mbetet e paqartë se sa turistë maqedonas janë prekur drejtpërdrejt nga evakuimet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër