Nga fundi i muajit starton treni urban Prilep – Manastir

Nga Xh M
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Manastir, 31 maj Zhurnal.mk – Treni urban midis Prilepit dhe Manastirit do të fillojë të funksionojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, ndërsa pritet që së shpejti të fillojë edhe trafiku hekurudhor i mallrave drejt dy qyteteve. Këtë sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Gjatë vizitës në Komunën e Mogillës, Nikolloski theksoi se hekurudha do të fitojë përsëri një rol të rëndësishëm si në transportin e pasagjerëve ashtu edhe në atë të mallrave.

Sipas tij, vendosja e linjës hekurudhore është rezultat i nevojës për transport alternativ dhe më të shpejtë gjatë periudhës kur po realizohet ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir.

“Duke pasur parasysh që po ndërtohet autostrada Prilep-Manastir dhe se po përdoret rruga e vjetër, menduam se do të ishte mirë të vendosim një tren urban. Po punojmë intensivisht me dy kompanitë hekurudhore për të përgatitur infrastrukturën dhe veçanërisht kalimet rrugore dhe për të siguruar trenat me një frekuencë të përshtatshme. Mund të informoj se në fund të qershorit, fillim të korrikut, siç kemi premtuar tashmë, do të vendoset linja midis Prilepit dhe Manastirit”, ka thënë Nikolloski.

Ai theksoi se treni do të funksionojë në oraret që janë më të përshtatshme për qytetarët dhe çmimi i biletës do të jetë simbolik.

“Do të ketë një tren urban midis dy qyteteve në orare të përshtatshme për qytetarët. Do të jetë një çmim simbolik prej 150 denarë në mënyrë që sa më shumë qytetarë të mund ta përdorin atë”, tha Nikolloski.

Ministri njoftoi gjithashtu fillimin e trafikut hekurudhor të mallrave për në Prilep dhe Manastir, duke theksuar se tashmë ka interes serioz nga kompanitë për të përdorur transportin hekurudhor.

“Në Prilep, tashmë ka interes serioz nga disa kompani për të përdorur hekurudhën si një mundësi për trafik dhe transport. Kjo së pari do të ndihmojë në uljen e ndotjes, së dyti në mbrojtjen e rrugëve dhe së treti në ringjalljen e hekurudhës”, theksoi Nikolloski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër