Shkup, 31 maj Zhurnal.mk – Qytetarët janë bërë më të vetëdijshëm për avantazhet e rezervimeve të hershme. Sipas operatorëve turistikë, kjo u mundëson jo vetëm çmime më ekonomike, por edhe më shumë hapësirë për të zgjedhur hotelet e dëshiruara në fluturimet charter. Fluturimet direkte dhe paketat “all-inclusive” po udhëheqin kërkesat, ku tregu dominohet nga Turqia dhe Egjipti.
“Aranzhmanet më të kërkuara këtë verë padyshim që janë destinacionet direkte, pasi që klientela jonë dëshiron që të arrijë shpejt te destinacioni i caktuar dhe padyshim paketat ultra all-inclusive. Sa u përket klientëve nga Maqedonia e Veriut, destinacionet më të preferuara padyshim që janë Antalia, Hurgada dhe Bodrumi.”, u shpreh Albulena Osmani.
Megjithatë, zhvillimet dhe krizat e fundit në nivel global kanë krijuar një lloj droje dhe hezitimi te një pjesë e qytetarëve përpara se të vendosin për të udhëtuar. Nga agjencitë thonë se i kuptojnë këto shqetësime, por asgjë nuk i lihet rastësisë.
“Sa i përket situatës globale aktuale, unë i ndjek shqetësimet e klientëve dhe të individëve padyshim, që është një periudhë jo e përshtatshme, mirëpo ne gjatë gjithë kohës jemi në kontakt të vazhdueshëm me organet kompetente, me institucionet përkatëse, të cilat na garantojnë që udhëtimi të realizohet në mënyrë të sigurt.”, u shpreh Osmani.
Por qytetarët, para se të bëjnë gati valixhet, mendojnë dy herë. Sepse përtej destinacioneve të ëndërruara dhe garancive për siguri, qëndron një pengesë shumë më e prekshme: çmimi.
“Duke pasur parasysh situatën ekonomike, janë pak çmimet jo të volitshme për qytetarët e Maqedonisë, por besoj se gjithkush do ta bëjë përzgjedhjen e vet se ku do të shkojë. Çmimet janë të larta, sepse Maqedonia llogaritet ndër vendet më të varfra në Ballkan.”, u shpreh një qytetar.
“Si të kemi mundësi do të planifikojmë, si mos të kemi mundësi… Për jo më shumë… S’ka luks për pushime.”, tha një qytetar.
“Nuk shkoj më nëpër pushime. Nuk e kemi standardin, por as shëndetin. Nuk kam shumë informata për çmimet, por nga ajo që kam njohuri, janë të larta.”, u shpreh një qytetar.
Kështu, ndërsa agjencitë premtojnë udhëtime të shpejta, të sigurta dhe pa shqetësime, për një pjesë të mirë të qytetarëve pushimet mbeten një luks i largët – jo çështje sigurie apo destinacioni, por thjesht çështje xhepi.
